Japoni, gazetarët hyjnë në Fukushima

12/11/2011 16:30

Gazetarët japonezë, por edhe nga vende të tjera të botës, janë lejuar të hyjnë në impiantin bërthamor të Fukushimës, për herë të parë që nga dëmtimi i shkaktuar nga tërmeti dhe tsunami i 11 marsit.

Më parë autoritetet kishin refuzuar kërkesat e mediave për të vizituar impiantin, me argumentin se nivelet e radioaktivitetit ishin shumë të larta.

Ndërsa turi i sotëm i reporterëve, të veshur me tuta mbrojtëse, ishte për të treguar se impianti gradualisht po kthehet në normalitet.

Reporterët mbërritën në Fukushima të premten dhe u vendosën pranë një kompleksi sportiv, që aktualisht përdoret si bazë për operacionet e pastrimit.

Ndërsa të shtunën ata u lejuan të futen në ambjentet e centralit dhe patën mundësi të bënin fotografitë e para që pas dëmtimit.

Grupi i gazetarëve u shoqërua nga drejtuesi i centralit të Fukushimës, Masao Yoshida, që tregoi kushtet e vështira të shkaktuara nga tsunami.

“Në javën e parë menjëherë pas ngjarjes mendova disa herë se do të vdisja, por tani situata është përmirësuar shumë”, tha Yoshida për reporterët.

I pranishëm ishte edhe ministri i qeverisë, i ngarkuar për menaxhimin e operacioneve të pastrimit, Goshi Hosono, i cili mbajti një fjalim për punëtorët.

“Sa herë që kthehem këtu, e ndjej se kushtet janë përmirësuar. Dhe kjo ka ardhur nga puna juaj e pakursyer”, u shpreh Hosono para punëtorëve.

Në fillim të muajit, një politikan japonez piu ujë të mbledhur nga impianti i Fukushimës, pasi gazetarët e sfiduan për të treguar nëse uji ishte i sigurtë.

Ndërsa një raport zyrtar i publikuar të njëjtën ditë vlerësonte se mbyllja përfundimtare e katër reaktorëve të centralit të dëmtuar mund të kërkojë deri në 30 vjet kohë. 

Top Channel