Ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën juglindore, Erhard Busek ka deklaruar se për opsionin e ndarjes së Kosovës duhet të bisedohet “qosheve”, në mënyrë që mediat të mos bëjnë zhurmë.

Por, sipas tij, për momentin ky skenar është i pamundur përsa kohë pala shqiptare dhe ajo serbe nuk ulen në tryezë për të biseduar posacërisht për këtë cështje.

“Kjo është një zgjidhje e qëndrueshme për Kosovën. Unë e kam propozuar atë, por nuk jam i sigurt nëse kosovarët janë të gatshëm për të ardhur deri këtu”, ka deklaruar Busek.

Ai ka shprehur bindjen e tij se ndarja e Kosovës nuk do të shkaktonte probleme të tjera në rajon, si për shembull në Bosnje e Hercegovinë.

Ndarja e Kosovës po shihet nga disa qarqe të caktuara politike si zgjidhja më e mirë për t’i dhënë fund cështjes së Kosovës.

Madje, edhe politikanë serbe, të njohur për prirjet e tyre nacionaliste, kanë propozuar këtë opsion pasi kanë pranuar se Beogradi s’mund të qeverisë më Kosovën.

Në një shkrim të pak ditëve më parë, e përditshmja prestigjoze amerikane “Wall Street Journal” shkruante se, “Ndarja e Kosovës hap kutinë e Pandorës”.

Aktualisht për veriun e Kosovës po qarkullon propozimi “Ahtisari plus”, që parashikon një lloj autonomie për provincat e banuara me shumicë serbe.

Por ky opsion është hedhur poshtë nga autoritetet kosovare, si dhe nga ato ndërkombëtare, si komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle, eurodeputetja Doris Pack, etj.

Top Channel