Milani, rikthehet Pato

11/11/2011 16:20

Tapeti i stadiumit “Artemio Franki” ka qenë gjithmonë fatsjellës për sulmuesin Alesandre Pato. Larg zhurmave të kombëtares braziliane, sulmuesi i kuqezinjve është rikthyer në stërvitjen në grup, dhe ndeshja kundër Fiorentinës, do të jetë rasti i duhur që ai të ristartojë sezonin e nisur me shumë lëkundje. 

Për shkak të dëmtimit muskular që parahikohej ta mbante për 1 muaj larg fushave, por e detyroi të ishte spektator më shumë, ai nuk është aktivizuar te Milani.

Tashmë në stadiumin e Firences, Pato do të ketë shansin që të bëjë atë që di më mirë, shënimin e golave. Në impiantin ”Franki’ sulmuesi latin ka një mesatare të frikshme me 1 gol në cdo 56 minuta dhe këto rrjeta kanë një peshë më shumë se normalen. Sa herë braziliani ka shënuar, Milani në Firence ka fituar gjithmonë.

Pato mungon në fushë që prej 21 Shtatorit të këtij viti dhe golin e fundit ndaj Fiorentinës në transfertë, e ka shënuar në 10 prill, atëherë  kur Milanit iu hap vërtet rruga për titullin.  Pikërisht një gol të tillë duan edhe tifozët e Milanit këtë herë, që kuqezinjtë të përsërisin suksesin e sezonit të kaluar.

Top Channel