Lëndë radioaktive në qytetet evropiane

11/11/2011 16:45

Copëza me nivele të ulëta radioaktiviteti janë zbuluar në Republikën Ceke dhe në vende të tjera të Evropës, ka bërë të ditur agjencia e OKB për energjinë atomike.

Copëzat me lëndën jod-131 nuk përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut, por megjithatë prania e tyre ka alarmuar autoritetet.

ANEA ka deklaruar se po punon në përpjekje për të zbuluar se nga vijnë copëzat, por ka nënvizuar se nuk beson që ato të kenë ardhura nga impianti i dëmtuar i Fukushimës në Japoni.

ANEA ka thënë se informacioni për praninë e kësaj lënde erdhi për herë të parë nga autoritetet e Republikës Ceke.

“ANEA beson se gjurmët e zbuluara të jodit-131 nuk përbëjnë rrezik për shëndetin dhe nuk janë shkaktuar nga aksidenti bërthamor në Fukushima”, ka deklaruar agjencia në një komunikatë për shtyp.

Sipas dokumentit, jodi-131 është një radioizotop me përmbajtje radioaktiviteti që mund të zgjasë deri në tetë ditë.

Nga ana tjetër, autoritetet ceke deklaruan se lëndën në fjalë e zbuluan në një numër stacionesh nga fundi i tetorit dhe informuan ANEA-në për ta pyetur nëse mund të identifikojë burimin.

Shefja për sigurinë bërthamore në Republikën Ceke, Dana Drabova tha se jodi mund të ketë rrjedhur gjatë prodhimit të lëndëve radiofarmaceutike.

Ajo nënvizoi se është e sigurtë që nuk ka ardhur nga ndonjë central bërthamor, por që ka ardhur gjithësesi nga jashtë vendit.

Top Channel