Itali, Senati miraton paketën e kursimeve

11/11/2011 14:00

Senati italian miratoi të premten në mesditë masat shtrënguese të kursimeve, të destinuara për të shpëtuar ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës nga kolapsi dhe të imponuara si kusht nga Bashkimi Europian.

Projekti tashmë duhet të miratohet edhe nga parlamenti, në një lëvizje që do t’i hapë rrugë dorëheqjes së paralajmëruar të Kryeministrit Berluskoni.

Midis zgjedhjeve të parakohshme dhe një qeverie teknike, po fiton gjithmonë e më shumë peshë mundësia e dytë, me Kryeministër të ri Mario Montin, ish-Komisoneri i BE-së për Konkurrencën dhe një njeri, mendimi i të cilit ka një peshë të madhe në rrethet financiare ndërkombëtare.

Çfarë përmban paketa e kursimeve

Për momentin, Italia ka defiçitin e dytë më të lartë në Europë, pasi atij të Greqisë. Borxhet kapin një vlerë totale prej 120% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, i përllogaritur në më shumë se dy trilion euro. Nëpërmjet masave të reja që Roma zyrtare do të marrë, do të ulen investimet publike dhe do të shtohen taksat. Këto janë masat kryesore të aprovuara.

– Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH në shqip) rritet nga 20% në 21%.
– Buxheti i pagave në sektorin publik mbetet i pandryshuar deri ën vitin 2014.
– Mosha e daljes në pension për gratë do të rritet gradualisht, nga 60 që është për momentin, në 65 deri në vitin 2026, duke bërë që të barazohet dalja në pension midis të dy sekseve.
– Shtrëngohen masa për të luftuar evazionin fiskal, përfshi një ligj që do të hetojë çdo transaksion financiar më të lartë se 2 500 euro.
– Vendoset një taksë e re në sektorin energjitik.

Top Channel