Euro 2012, katër bileta për tetë shtete

11/11/2011 14:30

Tetë skuadra do të zbresin sot (e premte) në fushë në ndeshjet e plejofit të Europianit 2012, për të nisur një përballje 180 minutëshe në të cilat janë vendosur në lojë katër bileta për në fazën finale në Poloni dhe Ukrainë.

Bosnje-Portugali

Është beteja e “Davidit kundër Goliatit”. Nga njëra anë, Ronaldo dhe shumë futbollistë të njohur. Nga ana tjetër, emra si Dzeko, Lulic e Pjanic, që bashkuar me shpirtin e fortë ballkanik, do t’i japin një mikpritje aspak të pëlqyeshme portugezëve në Zenica.

”Luajmë ndaj një skuadre të fortë, por përderisa jemi edhe në në plejof, kjo tregon se nuk jemi inferiorë. Duhet të shfryëzojmë fushën tonë, mund t’ia dalim”, deklaroi trajneri boshnjak, Susiç, në prag të sfidës. Për Ronaldon, “vendi i tij nuk e ka luksin që të qëndrojë jashtë Europianit”.

Turqi-Kroaci

Një tjetër sfidë, një tjetër hakmarrje. Në plejofin e Europianit të Austrisë dhe Zvicrës në vitin 2008, ishin pikërisht turqit ata që ndërprenë ëndrrën kroate pikërisht në plejof. Skuadra e Bilic është e sigurt që këtë herë do të qëllojë në shenjë, por është e qartë që 90 minutat e sotme në Stamboll do të jenë vendimtare për fatin e kësaj përballje.

Nën udhëheqjen e Hidink, emrat e Altintop dhe Sahin do të jenë armët kryesorë të turqve. Kroatët kanë të dëmtuar Kranjcar e Lovren, por Modric, Olic e Pjanic do të jenë të gjithë në fushë.

Mali i Zi-Çeki

Edhe këtë herë, është një sfidë midis një vendi “mikroskopik” dhe një shteti që ka nxjerrë disa prej emrave më të mëdha të futbollit. “Kemi patur gjithmonë futbollistë të mëdhenj, por është hera e parë që ata luajnë për Malin e Zi”, shprehet trajneri Brnovic, duke iu referuar yjeve si Vuciniç e Jovetiç apo ish-ave si Saviçeviç apo Mijatoviç.

Nga ana e saj, Republika Çeke është një pjesëmarrëse e zakonshme e akviteteve të mëdha, por është në një moment tranzicioni brezi, prandaj trajneri Bilek paralajmëron: “Për ne do të jetë e vështirë. Nëse duam të tregojmë sa vlejmë, kjy është momenti i duhur për ta bërë atë”.

Estoni – Irlandë

Irlanda e drejtuar nga Trapatoni, do të përballet me skuadrën që është surpriza e vërtetë e fazës së kualifikimit të grupeve. Estonia nuk ka asnjë futbollist të njohur, por një grup të bashkuar si pak skuadra dhe kjo e ka lejuar të renditet e dyta në një grup që përfshinte Italinë dhe Serbinë.

Irlanda, si gjithmonë e udhëhequr nga Robbie Keane, do të përpiqet të sigurojë kualifikimin e parë në një kompeticion të madh që prej vitit 2002. Pasi mbetën jashtë Botërorit të Afrikës së Jugut pasi u eliminuan në plejof nga Franca pas një goli vendimtar i Henrisë me dorë, irlandezët janë të vendosur të mos shohin një tjetër veprimtari të madhe nga televizori.

Top Channel