Allegri: Milan, në nivelin e Barcelonës

11/11/2011 17:20

Massimiliano Allegri, trajneri i Milanit, ka thënë në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’ se kuqezinjtë janë në të njëjtin nivel me skuadra si Barcelona, Real Madrid dhe Bayern Munchen.

“Milan është në gjendje të përballet si i barabartë në Europë me çdo ekip tjetër. Lojtarët e mi kanë cilësi teknike dhe eksperiencë të mjaftueshme për t’i bërë ballë me sukses fazës finale të Ligës së Kampioneve”, theksoi Allegri.

Tekniku livornez u shpreh se po mendon vetëm për ndeshjen e radhës në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube, atë ndaj Barcelonës në San Siro.

“Për ne do të jetë si një finale dhe do të përpiqemi ta fitojmë sepse duam të dalim të parët në grup. Mund të mposhtim Barcelonën sepse kemi lojtarë si Ibrahimovic, i cili është i rëndësishëm për ne aq sa Messi për katalanasit. Mendoj se Ibra, Messi dhe Cristiano Ronaldo janë në të njëjtin nivel”, deklaroi Allegri.

Top Channel