“Chavez ka më pak se gjashtë muaj jetë”

11/11/2011 12:30

Presidenti i Venezuelës i goditur nga një tumor, Hugo Chavez, ka më pak se gjashtë muaj jetë, deklaroi të premten ish-ambasadori amerikan në vendin e Amerikës së Jugut.

Roger Noriega, duke cituar burime pranë presidentit, u shpreh se e sheh si të pamundur që Chavez të jetë ende në jetë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të planifikuara për t’u zhvilluar në muajin tetor të vitit të ardhshëm.

Chavez konsiderohet si një prej liderave më armiqësorë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai qëndron në rolin e presidentit të Venezuelës, shtetit me prodhimin më të madh të naftës në kontinentin latin, që prej vitit 1999.

Në një editorial të botuar në “Miami Herald”, Noriega shkruan: “Skuadra ndërkombëtare e mjekëve që është duke trajtuar Chavezin nuk pret që ai të jetojë më shumë se gjashtë muaj të tjerë. Përkeqësimi i tij fizik është duke u përshkallëzuar më shpejt nga sa e kishin parashikuar mjekët. Pavarësisht gjendjes serioze, Chavez ka kërkuar që të marrë doza të ulta kimioterapie, për të shmangur ndonjë mungesë afatgjatë nga skena politike”.

Noriego shtoi se mjekët e kanë kritikuar ashpër vendimin e liderit për të mos rritur dozën e tij të kimioterapisë, por nuk mund të bëjnë asgjë për t’i ndryshuar mendjen.

Në tetor, Chavez u kthye nga disa ekzaminime në Kubë dhe theksoi se ishte shëruar përfundimisht. Ai konfirmoi pjesëmarrjen në zgjedhjet e tetorit, por spekulimet mbi gjendjen e tij shëndetësore vazhdojnë të jenë të mëdha.

Top Channel