“Shullazi”, Kuvendi: Makina, jo e institucionit

10/11/2011 00:00

Kuvendi i Shqipërisë mohon njoftimet e fundit ne media, se makina në
cilën ndodhej Emiljano Shullazi në momentin e ndalimit është pronë e
këtij institucioni.

Përfaqësues të Kuvendit thanë se makina në fjalë është dorëzuar vite më parë nga rezervat e shtetit.

Edhe policia deklaroi se makina ishte blerë nga Kuvendi më 19 shtator nga një person i quajtur B. Dobrushi.

Ndërkohë që sipas gazetës “Shqip” Emiljano Shullazi dhe shoku i tij, Gilmando Dani, të cilët janë arrestuar për armëmbajtje pa leje, janë kapur në një makinë të Kuvendit të Shqipërisë. Skandali duket se është mbyllur në heshtje, ndërkohë që një nga dy të arrestuarit pritet të lirohet, pasi shoku ka marrë përsipër pronësinë e një pistolete pa leje të gjetur në mjet.

Emiljano Shullazi, 33 vjeç dhe Gilmando Dani, 32 vjeç, u kapën dy net më parë gjatë një kontrolli të ushtruar nga Komisariati nr. 2 në Tiranë, ndërkohë që paraditen e së mërkurës, policia e kryeqytetit ka nxjerrë disa detaje nga operacioni për arrestimin e tyre. Sipas të dhënave zyrtare, arrestimi i këtyre shtetasve u realizua rreth orës 19.30 të së martës, në kryqëzimin me rrugën “Kongresi i Lushnjës”, në Tiranë. Menjëherë u mor informacion dhe u ushtrua kontroll i imtësishëm, kur ata po qarkullonin me automjetin tip “Benz“, me targa TR 2703 L.

“Gjatë kontrollit në mjet u gjet një pistoletë tip ‘Glock’, me një krehër me 16 fishekë, maska të zeza si dhe disa celularë. Aktualisht në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur vazhdon puna hetimore në bashkëpunim me prokurorinë, për aktivitetin dhe tendencat e tyre kriminale”, -deklaroi zyrtarisht policia. Ndërkohë, materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për konsumim të veprave penale “prodhimit dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Ndërkaq, nga hetimet e para ka rezultuar se mjeti i sekuestruar është në pronësi të Kuvendit të Shqipërisë. Madje, edhe leja e qarkullimit është në emër të Kuvendit. Edhe nëse mun të jetë e vërtetë që mjeti mund të jetë shitur në ankand, problemi qëndron se si ka rënë në dorën e tyre dhe pse nuk ishte tërhequr leja e qarkullimit. Nëse çdo punonjës policie do të kërkonte të verifikonte këtë mjet do të rezultonte se është në pronësi të Kuvendit, ndërkohë që në makinë mbahej edhe një kundërtabelë, për të shmangur uniformat blu.

Top Channel