Paris, asnjë medalje

10/11/2011 20:00

Edhe pse ishte më i vogli në moshë në baterinë 77 kg, Hysen Pulaku ka arritur të renditet i shtati në botërorin e peshëngritjes që po zhvillohet në Paris.

Nënkampioni i Europës për të rinj ngriti në stilin e shkëputjes 153 kg, 1 kg më shumë se peshngritësi tjetër shqiptar Erkand Qerimaj.
 
Në stilin e shtytjes, Qerimaj ngriti 186 kg dhe dështoi në provën e fundit për të ngritur 190 kg. Ndryshe ndodhi për elbasanasin 18-vjeçar, i cili dështoi në dy provat e para me 187 kg dhe kaloi me sukses të tretën ku ngriti 188 kg.

Në dygarësh, Pulaku me 341 kg zuri vendin e 7 ndërsa shkodrani Erkand Qerimaj me 338 kg u rendit i 11.

Shqipëria pretendon të çojë 4 peshëngritës në Lojërat Olimpike Londër 2012, por për të konfirmuar këtë numër sportistësh priten dhe rezultatet e Endri Karinës dhe Ilir Sulit, dy sportistë që do të garojnë të premten.

Top Channel