Gotze do të qëndrojë tek Borussia Dortmund

10/11/2011 19:30

E ardhmja e Mario Gotze, një nga talentet e rinj të futbollit gjerman, do të jetë e lidhur me klubin e tij aktual, Borussia Dortmund, me të cilin 19-vjeçari ka një kontratë deri në vitin 2014.

Kështu është shprehur agjenti i futbollistit të ri, Volker Struth.

“Do të ishte e gabuar t’i rekomandoja Gotze-s që të firmoste për një ekip tjetër. Nuk do të negociojmë me asnjë skuadër”, theksoi Struth për gazetën ‘Bild’.

“Gotze luan për ekipin ideal për momentin (Borussia Dortmund). Nuk do e shtyja që në të ardhmen e afërt të ndërronte skuadër”, shtoi agjenti i gjermanit.

Kohët e fundit janë shtuar zërat për një largim të mundshëm të mesfushorit nga Bundesliga. Gjithsesi, edhe Bayern Munchen është i gatshëm të nisë tratativat me Borussian nëse verdhezinjtë do të nxirrnin në shitje talentin e tyre.

Sipas ‘Bild’, plani i Gotze është që të luajë edhe dy vite të tjera në Dortmund e më pas të transferohet në një nga klubet e mëdha europiane, mes të cilave Barcelona dhe Arsenal.

Top Channel