Tevez injoron City-n

09/11/2011 15:10

Karlos Tevez dhe Mançester Siti janë në një luftë të hapur. Shkak për këtë u bë kërkesa e sulmuesit argjentinas për të qëndruar në vendin e tij më shumë nga sa u lejua nga drejtuesit e klubit anglez.

Tevez u largua në Argjentinë ditën e hënë dhe pritej të kthehej në Mançester këtë mesjavë për të zhvilluar seancën e radhës stërvitore me skuadren. Por 27 vjecari, pa marrë lejen e drejtuesve të skuadres, preferoi të qëndrojë në Buenos Aires.

Kjo do të thotë që futbollisti mund të ndëshkohet me një tjetër gjobë që do të jetë e dyta për të në harkun e pak javëve. Më parë Tevez u gjobit nga drejtuesit e Mançester Sitit me 400 mijë Paund pasi refuzoi të hyjë në fushën e lojës në ndeshjen e Ligës së Kampioneve me Bajernin e Mynihut.

Kjo situatë e tensionuar te klubi anglez duket se do të zgjasë deri në muajin janar kur Mançester Siti do të kërkojë ta largojë atë në drejtim të ndonjë skuadre tjetër në merkaton dimërore. Nga ana tjetër edhe vetë Tevez do të kërkojë largimin nga Mançester Sitit, pavarësisht deklaratës së Mançinit që argjentinasit i mjafton të kërkojë falje për të mbyllur të gjitha polemikat.

Top Channel