Në Panairin Botëror të Turizimit, evenimentin më të spikatur ndërkombëtar për këtë industri, i cili po zhvillohet në qëndrën më të madhe të ekspozitave Excel të Londrës, Shqipëria dhe agjensitë turistike kanë shpenzuar afro 100 mijë stërlina vetëm për marrjen me qira të ambjenteve dhe arredimin e stendës shqiptare, e cila cdo vit vjen e zgjerohet.
Zv/Ministri i Turizmit z. Nikollë Lesi, i pranishëm në këtë panair tha për Top-Channel se kërkesa për dërgim grupesh turistike në Shqipëri është progresive dhe ka pasur interesim të konsiderueshëm nga Gjermania, Austria dhe Anglia.
Shqipëria është e vetdijshme për sfidat në këtë industri dhe konkurron tashmë me vendet e Adriatikut me traditë të hershme në këtë fushë si Kroacia, por në raport me vitet e tjera, sipas z.Lesi po hartohet një projekt-buxhet për marketimin në vendet rusisht folëse për të thithur një pjesë të tregut që frekuenton Turqinë dhe Greqinë.
Pastërtia mbetet, sipas z.Lesi, një sfidë e madhe dhe për këtë qëllim masa drastike ligjore për pastrimin e ambjentit do të fillojnë të aplikohen që në fillim të vitit të ardhshëm dhe jo në prag të sezonit si deri më sot.
Në ambjentet e Panairit Botëror të Londrës, zv-ministri shqiptar i turizmit Nikoll Lesi, është takuar edhe me personalitete të Organizatës Botërore të Turizimit.
Sipas tij, ka pasur interesim edhe nga media të fuqishme si BBC dhe TV5 për programe promovimi dhe reklamimi të turizmit shqiptar.
Është fakt se gjatë kohëve të fundit ka pasur një sërë klasifikimesh pozitive të Shqipërisë në media dhe agjenci të specilizuara, ku e rendisin Shqipërinë ndër vendet më atraktive dhe më të lira në cmime në botë për t’u vizituar, ku padyshim panaire të tilla kanë rolin e vet në promocion.
Gjetja e klientit në turizëm është shumë vendimtare, por mbajtja dhe plotësimi i pritshmërive të tyre mbetet jetike në mbijetesën e kësaj industrie.
Top Channel