Shqipëria pa Currin dhe Bulkun në duart e Xhemos

08/11/2011 00:00

Shqipëria përgatitet për dy miqësoret e radhës me Azerbajxhanin dhe
Maqedoninë, pa trajner dhe me dy mungesa shumë të rëndësishme.

Stërvitja e parë e kuqezinjve është drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç, i cili ka qenë krahu i djathtë i ish-trajnerit Kuzhe, ndërsa aktualisht drejton me sukses përfaqësuesen Under-17. Ndërkohë, sa i përket kontingjentit, Debatik Curri dhe Ervin Bulku nuk do të jenë të gatshëm të luajnë me Azerbajxhanin dhe Maqedoninë, për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar.

Xhemo, siç njihet ndryshe boshnjaku, e njeh mjaft mirë skuadrën, lojtarët dhe skemat dhe për këtë arsye, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ka besuar Kombëtaren, deri në emërimin e drejtuesit të ri të stolit. Vetëm pak ditë më parë, drejtuesi më i lartë i futbollit në vend, kishte deklaruar se Mustedanagiç do të drejtonte ekipin në ndeshjen e 11 nëntorit në Tiranë me Azerbajxhanin, madje edhe nëse në ditët në vazhdim do të arrihej akordi me trajnerin e ardhshëm. Sipas Dukës, nuk premtonte koha që tekniku i ri të niste menjëherë punën dhe ndoshta takimin e parë do ta vëzhgonte nga tribuna, për të krijuar një ide rreth skuadrës. Por, me vonesat e këtyre ditëve, sipas të gjitha gjasave, Shqipëria nuk do të ketë trajnerin e saj as në përballjen e datës 15, në Prilep me Maqedoninë. Praktikisht, kuqezinjtë do të luajnë dy ndeshje në kuadër të edicionit të ri, edhe pse nuk dihet sa do t’i shërbejnë realisht këto miqësore trajnerit të ri: përzgjedhja e lojtarëve është bërë nga FSHF dhe trajnerit do t’i duhet ta njohë përfaqësuesen në fushat e stërvitjes dhe në lojë. Pra e gjitha mund të rezultojë si kohë e humbur. Megjithatë, mbrojtësi Andi Lila është optimist dhe shpreson se në këto dy miqësore do të hidhen themelet e ekipit të kualifikueseve të Kupës së Botës, “Brazil 2014”. “Sapo mbyllëm eliminatoret e Europianit 2012 dhe tani jemi në një fazë tjetër, ku do të përgatitemi për Botërorin. Shpresoj që në këto dy miqësore të bëjmë paraqitje të mirë dhe pse jo të hidhen themelet për kualifikueset e Botërorit 2014”, tha Lila.

Por, përveç enigmave rreth së ardhmes së stolit, Shqipëria duhet të përballet edhe me dy mungesa të rëndësishme. Kundër Azerbajxhanit dhe Maqedonisë, kuqezinjtë nuk do të kenë shërbimet e mbrojtësit Debatik Curri dhe mesfushorit Ervin Bulku. Curri është i dëmtuar në kofshë dhe rezonanca megnetike e zhvilluar në Turqi tregoi se mbrojtësi nuk do të jetë i gatshëm për dy takimet e radhës. Lojtari i ka dërguar rezultatet me postë elektronike (e-mail) dhe pasi i vëzhgoi, stafi mjekësor i Kombëtares i dha leje të mos paraqitej në grumbullim. I dëmtuar është edhe mesfushori i AZAL Bakusë, Ervin Bulku, që nuk do të luajë. Stafi teknik i Shqipërisë ka vendosur të mos grumbullojë asnjë lojtar të ri, por të mbajë ekipin me 21 lojtarët e mbetur.

Tifozat Kuq e Zi bojkotojnë Kombëtaren

Tifozat Kuq e Zi njoftuan bojkotimin e të gjitha ndeshjeve të Kombëtares
A. Shkak, sic thuhet në komunikatën e shpërndarë nga TKZ, është bërë
situata e paqartë e krijuar për emrin që do të drejtojë Shqipërinë në të
ardhmen.

Për gjendjen e kombëtares, Tifozët fajësojnë drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe jo trajneri apo lojtarët.

Tifozët shprehin keqardhjen e tyre për dështimin e tentativës për
vendosjen e një trajneri shqiptar në krye të kombëtares. Ata vlerësojnë
si “telenovelë të stisur” bisedimet për ardhjen e Besnik Hasit në krye
të pankinës Kuq e Zi. 

“Për ta forcuar qëndrimin tonë, në mënyre që të gjithë të vetedijesohen
për faktin se problemi nuk janë trajneret apo lojtarët, Tifozat Kuq e Zi
bojkotojnë ndeshjet e Kombëtares A deri në një njoftim tjetër”, thuhet
në fund të komunikatës së Tifozave Kuq e Zi.

Top Channel