Vetëm pak orë pasi Gjykata e Los Anxheles shpalli fajtor, Dr. Conrad Murray, mjekun personal të Michael Jackson për vrasjen e paqëllimshme të mbretit të pop-it, familjarët e këngëtarit dhe qindra fansa kanë nxituar të festojnë këtë vendim.
“Tani ndjehem shumë më mirë, absolutisht po. Drejtësia e bëri të sajën. Asgjë s’mund të zëvendësojë humbjen e Jackson, por ama të paktën fajtori do të paguajë për këtë”, ka pohuar gati e ekzaltuar La Toya Jackson fill pasi u lexua vendimi për Murray.
Ndërsa një fans i këngëtarit në lot u shpreh: “Michael nuk është këtu por unë jam i lumtur për këtë vendim. Është moment shumë emicionale për mua”.
Ndërsa nëna e Jackson, Katherine dhe motra e këngëtarit të ndjerë Rebbie kanë zgjedhur të qajnë në heshtje në sallën e gjyqit ndërsa gjykatësi lexonte vendimin për fajësimin e mjekut Murray, si përgjegjës për vrasjen e Jackson, 25 qershorin e vitit 2009. Aty ishte e gjithë familja që mbështesnin nënën e Jackson, domos më e prekura nga të gjithë.
Në seancën gjyqësore të së hënës, 58-vjeçari Murray u shpall fajtor dhe tani do i duhet të përballet ndoshta 4 vjet heqje lirie dhe humbjen përfundimisht të licencës për të ushtruar profesionin e tij të mjekut.
Ndonëse avokatët e mjekut personal të Jackson, u munduan të argumentonin se këngëtari vendosi të marrë me vullnetin e tij dozën vdekjeprurëse të qetësuesit të llojit propofol, gjykatësit e fajësuan atë për papërgjegjshmëri.
Tani Dr. Conrad Murray do të përballet me masën e arrestit dhe pasojat e tjera të kësaj odiseje gjyqësore.
Top Channel