Katherine Jackson u shpreh e lumtur për verdiktin e Gjykatës së Los Angeles që shpalli fajtor Conrad Murray, mjekun personal të Michael Jackson për vrasjen pa dashje të Mbretit të Pop-it.
“Jam shumë e lumtur për vendimin sepse kemi dy vite që luftojmë në gjykatë”, u shpreh nëna e këngëtarit të ndjerë.
E shoqëruar nga babai i Michael Jackson, Joe Jackson, ajo lexoi një komunikatë për të shprehur me pak fjalë atë që ndjente: “Kemi pritur gjatë këtë moment dhe nuk mundëm t’i mbanim lotët në sallën e gjyqit. Edhe pse asgjë nuk mund të na kthejë djalin tonë, të paktën drejtësia u vu në vend.”
Më e ashpër u tregua LaToya Jackson, një nga pjesëtarët e parë të familjes që akuzuan direkt mjekun Murrey për vdekjen e Michael Jackson. LaToya doli e para nga salla e gjyqit me grushtin e ngritur lart dhe duke bërtitur “Fitore!”
Michael Jackson vdiq më 25 qershor të vitit 2009 nga një overdozë të medikamentit propofol.
58-vjeçari Murray mund të denohet me katër vjet burg si dhe të humbë licensën për të ushtruar profesionin. Në argumentin e fundit, prokurorët thanë se Murray shkaktoi vdekjen e Jackson nga neglizhenca, duke u mohuar fëmijëve të atin dhe botës mbarë, një gjeni të muzikës.
Avokatet e Murray argumentuan se Jackson vendosi të marrë me vullnetin e tij dozën vdekjeprurëse, kur mjeku ishte larguar prej dhomës së tij.
Top Channel