Eliminimi, kosto e madhe financiare për United e City

08/11/2011 17:20

Eliminimi i nga Champions League mund t’i kushtojë Manchester United rreth 20 milion paund më pak vetëm nga të drejtat televizive, vlerësojnë ekspertët financiarë.

”Kostoja financiare nga humbja e të drejtës televizive është midis 14-18 milion paund”, shkruante Andy Green, një ekspert i futbollit anglez. “Këtu duhen shtuar edhe disa milionë më shumë nga biletat dhe shpërblimet e UEFA-s, prandaj bëhet fjalë për një goditje të madhe ekonomike”.

Manchesteri lajmëroi gjatë ditës se ata që kishin blerë abone për raundin e mëtejshëm të Champions League do të kenë bileta të vlefshme për ndeshjet e Europa League, por nuk konfirmoi nëse do të ketë një rimbursim të pjesshëm të vlerës së paguar.

”Me çmimet aktuale apo të reduktuara, Manchesteri do ta ketë gjithsesi të vështirë që të mbushë “Old Trafford”, në ndeshjet e së enjtes mbrëma, në Europa League. Biletat e fazave të fundit të Champions janë një “minierë ari” për klubet dhe fitimet nuk mund të krahason as nëse United ia del mbanë të fitojë titullin e dytë më të rëndësishëm europian”, vlerësoi eksperti.

Humbje të ngjashme ka pësuar edhe klubi i dytë i qytetit, Manchester City, gjithashtu i mbetur jashtë raundit të dytë të Champions, por në rastin e “qytetarëve”, goditja është shumë më e rëndë.

”Është e qartë që humbja ekonomike mund të kompensohet pa problem nga sheiku i tyre miliarder, por me hyrjen në fuqi të rregullave të reja për “fair-play” financiar të UEFA-s, diçka e tillë nuk mund të bëhet. Në mënyrë që klubi të balancojë humbjet e mëdha që ka nga blerjet dhe pagat, ka nevojë absolute që të jetë vit pas viti në Champions League dhe të arrijë larg në këtë kompeticion”, shtoi Green.

Një vit më parë, për mbërritjen deri në finale të Champions League, Manchesteri fitoi 53 milion euro në formë shpërblimesh, të drejta televizive dhe biletash. Pjesëmarrja në fazën e grupeve derdh në arkat e klubeve vetëm 7 milion euro nga UEFA.

”Për të bërë një vlerësim të thjeshtë të financave të Manchesterit, klubi fiton çdo vit 300 milion paund, por shpenzon 200 milion, shumica e të cilave në paga. Kjo do të thotë se mbeten vetëm 100 milion përfitime për aksionerët dhe për merkaton e vitit të ardhshëm. Është e qartë që pa Champions, klubi nuk mund të jetë aq aktiv në blerje vitin e ardhshëm, gjithmonë nëse nuk do të regjistrojë një vit me humbje financiare”, përfundoi Green.

Top Channel