“Calciopoli”, burg për Moxhin

08/11/2011 20:40

Ka marrë fund në Gjykatën e Napolit procesi “Calciopoli”. Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Luciano Moxhi u dënua me 5 vjet e 4 muaj burg.

Ky ishte vendimi i Gjykatës së Parë të Napolit që shpalli Moxhin fajtor për formimin dhe drejtimin e organizatave kriminale.

Gjykata e Napolit dënoi me nga 15 muaj burg Klaudio Lotito dhe Diego Della Valle, i pari president i Lacios, ndërsa i dyti i Fiorentinës. 1 vit burg u dha edhe për ish-dizenjatorin e gjyqtarëve për skuadrën e Milanit, Leonardo Meani.
Me burgim u dënuan edhe ish-dizenjatorët i arbitrave, Bergamo dhe Paireto si dhe gjyqtari De Santis. Bergamo u dënua me 3 vjet e 8 muaj burg, Paireto me 1 vit e 4 muaj burg dhe arbitri De Santis me 1 vit e 8 muaj burg.

Ky ishte vendimi i shkallës së parë të një gjykate civile, jashtë strukturave të federatës italiane të futbollit. Pritet që ish-drejtuesi i Juventusit dhe të dënuarit e tjerë, të përfshirë në skandalin “Calciopoli” të apelojnë vendimin.

Moxhi & Co akuzohen për fiksimin e ndeshjeve dhe blerjen e gjyqtarëve për disa vite rresht në kampionatin Italian.

“Calciopoli” shpërtheu në vitin 2006. Në atë kohë strukturat e federatës italiane vendosën t’i heqin dy tituj Juventusit dhe e rrëzuan atë në Serinë B. Titulli i 2006-s i kaloi Interit, ndërsa kampionati i 2005-s u anulua. Masa u morën edhe ndaj Milanit, që kampionatin pasardhës e nisi me -8 pikë.

Top Channel