Balotelli, vizitë në fabrikën e kokainës

08/11/2011 18:00

Pasurohet me detaje të reja vizita e shumëpërfolur e sulmuesit Mario Balotelli, në periferinë e Napolit, në zonën e bërë të famshme për trafikun e saj të drogës në filmin “Gomorra”.

Në një deklatë të dhënë përpara një prokurori, Balotelli pranon se i shoqëruar nga sipërmarrësi Marco Iorio, i përfunduar nën pranga në kuadrin e një hetimi për riciklimin e parave, vizitoi disa punishte për të parë se si prodhohej, ndahej në sasi të vogla dhe shpërndahej kokaina.

“Kam patur rastin të shikoj të gjithë procesin nga vetëm dhjetë metra larg, por nuk jam përfshirë asnjëherë në diçka të tillë”, dëshmon 20-vjeçari i kombëtares italiane dhe i Manchester City.

Midis dëshmive të dhëna është edhe ajo e sulmuesit të Napolit, Ezequiel Lavezzi, i cili krijoi skandal kur u pa duke u shoqëruar me të birin e një bosi mafioz të kërkuar nga drejtësia. “Mësova vetëm nga gazetat që isha duke u shoqëruar me një njeri të shumëkërkuar”, pretendon argjentinasi rreth Antonio Lo Russos.

Së shpejti, për shkak të shoqrimit të tij me të shumëkërkuar, pritet të japë llogari në Prokurorinë e Napolit edhe kapiteni i skuadrës së qytetit, Paolo Cannavaro.

Top Channel