Reali drejt thyerjes së rekordeve historikë

07/11/2011 16:15

Reali i Madridit rrezikon të thyejë të gjithë rekordet historikë të golave të shënuar në kampionatin spanjoll, ndërsa 39 gola në vetëm 11 javët e para ishin parë vetëm një herë deri më sot.

Diçka e tillë ka ndodhur në sezonin e largët 1950-51, kur pas 11 javësh Reali kishte realizuar 42 gola, por kishte pësuar edhe 36 të tjerë, prandaj renditej vetëm në vendin e shtatë. Nëse skuadra e Mourinhos do të vazhdojë të ruajë këtë mesatare prej 3,5 golash në ndeshje, atëherë do të mbyllë kampionatin me 134 gola, duke thyer ndjeshëm rekordin që vetë madrilenët mbajnë, prej 107 golash në sezonin 1989-90.

Së bashku me Realin, në formë të shkëlqyer është edhe ylli i tyre i vërtetë, Cristiano Ronaldo, i cili ka realizuar 13 gola në 11 javë kampionat ose 17 duke llogaritur të gjithë aktivitetet. Pas po kaq ndeshjesh, në sezonin e shkuar portugezi kishte shënuar vetëm shtatë herë, ndërsa tek Manchesteri edhe më pak.

Në formë të mrekullueshme edhe Higuain, i cili ka shënuar 11 herë, kur më përpara, asnjëherë nuk e kishte kaluar normën e dhjetë golave. Në sezonin e shkuar, ai kishte shënuar vetëm dy herë.

Ndërkohë, shtypi spanjoll informoi gjatë të hënës që është mësuar edhe shkalla e dëmtimit të Di Marias, i cili do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për një muaj, pasi u detyrua të largohej me barrelë pas një përplasje në ndeshjen e fituar 7-1 përballë Osasunës.

Top Channel