Kongresi i Partisë Socialiste ka qenë ngjarja kryesore e javës së kaluar. Deputetë dhe analistë argumentuan në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, mbi përfundimet e nxjerra nga kjo ngjarje madhore politike.
Blendi Klosi, deputet i Partisë Socialiste, Mark Marku, deputet i
demokratëve në pushtet, Lutfi Dervishi dhe Mustafa Nano, analistë,
debatuan me mesazhet që transmeton asambleja e partisë më të madhe në
opozitë.
Klosi: Partia Socialiste është gati për pushtet
Duke hapur debatin, deputeti Klosi e përcaktoi kongresin e partisë së tij si një hap të madh përpara që dëshmoi se PS është e gatshme të marrë pushtetin që në këtë moment.
“Ky ishte Kongresi i bashkimit të madh. Siç e keni parë gjatë të gjithë këtyre ditëve, janë të shumtë kolegët e mi që kanë shprehur opinione. Të gjithë opinione të ndryshme, por që ndajnë të njëjtin thelb dhe qëllim. Mendoj se kongresi dhe mbi të gjitha plani i hartuar, tregojnë se Partia Socialiste është e gatshme të rikthehet në pushtet sepse ka një ide të qartë për atë që do të bëjë kur kjo të ndodhë”, deklaroi Klosi.
Në fjalën e tij, Klosi foli edhe për një “dimension të ri” dhe “opozitë tjetër”. “Kongresi përbën edhe një ndryshim kursi. Opozita fiton një përmasë të re, ndërsa Partia Socialiste tregon se është një alternativë për qeverisje. Programi bazë është hartuar, pra PS i jep që tani një alternativë të vërtetë shqiptarëve. Mendoj se ky ishte një takim i rëndësishëm për të gjithë, sepse tregojmë që jemi të bashkuar dhe punojmë të gjithë për të njëjtin drejtim”, u shpreh deputeti socialist.
Duke iu përgjigjur akuzave të kolegut të tij demokrat, Mark Marku, i cili e cilësoi kongresin si provë që në dy vitet e fundit Rama ka gabuar kurs në opozitë, Klosi u përgjigj duke thënë se: “Fakti që nga një opozitë në rrugë shndërrohemi në një opozitë aktive, nuk do të thotë që në dy vitet e fundit gabuam. Ju siguroj se ajo që bëmë, lufta për votën e lirë, lufta për demokracinë, lufta për një Shqipëri ndryshe, ishte e domosdoshme pas vjedhjes së votave masive që kanë ndodhur në dy zgjedhjet e fundit”.
Më tej në fjalën e tij Klosi vlerësoi edhe faktin që në këtë kongres, ndryshe nga çishte paralajmëruar, nuk pati përjashtime, nuk pati kritika dhe as ngjarje të tjera madhore. “Gjëra që kundërshtarët tanë shpresonin shumë që t’i shihnin”, theksoi Klosi.
Marku: Ishte kongresi i përçarjes së madhe
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku, nxorri dy përfundime të rëndësishme nga punimet e asamblesë së Partisë Socialiste. Përfundimi i parë ishte që:
“Ka një paradoks në mënyrën se si po mbyllen punimet, paradoks që konfirmon rrugën e atyre figurave që kanë qenë kundër Ramës, por që nga ana tjetër, konfirmon Ramën si lider. Ndryshimi i kursit tregon që opozita përtej së majtës e së djathtës dhe idetë e tjera të Ramës kanë qenë të dështuara, prandaj më duket e çuditshme që në fund, pozitat e tij në krye të partisë vetëm sa forcohen, të paktën në dukje”.
Përfundimi i dytë, ishte edhe më i rëndësishëm sipas Markut. “Ky jo vetëm që nuk ishte një kongres i bashkimit, por do ta quaja si të përçarjes. Asambleja nuk merr parasysh kërkesat e rivalëve. Formalisht ka ndodhur bashkimi, por realisht Rama ka arritur të sfumojë pretendimet e kundërshtarëve, duke bërë rivalë më shumë. Kastriot Islami vazhdon të jetë një kundërshtar i fortë, Nano pa dyshim, por janë bërë kundërshtarë dhe figura që kanë përkrahur më parë Ramën ose kanë qenë disi neutralë, si ish-presidenti Mejdani apo Pëllumbi”, theksoi Marku.
Në vijimin e fjalës së tij, deputeti demokrat e cilësoi kongresin si një zhvillim pozitiv, por vendosi pikëpyetje të thella kur kujtoi se, “Zoti Rama ka thënë që në vitin 2009 që kishte një program me 1 mijë faqe. Nëse atëherë programi ishte, përse ishte nevoja që të dilej tani me një të ri? I bie që Rama dy vjet më përpara ka mashtruar tre milionë shqiptarë, duke i shitur një program që asnjëherë nuk e ka patur”.
Balla: Numërimi vijon me korrektësi
Deputeti socialist Taulant Balla ka deklaruar se procesi i numërimit të votave për anëtarët e asamblesë kombëtare të PS po vijon ngadalë por në mënyrë korrekte.
“U rikonstituan grupet e numërimit në bazë të një komisioni që përfaqëson të gjitha qarqet e Shqipërisë. Janë 23 grupe, ka një ngadalësi në proces, janë numëruar 13 për qind të votave, por prioritet është korrektësia, e cila është maksimale”, ka deklaruar Balla.
Në një prononcim direkt për emisionin “Shqip”, Balla ka nënvizuar se për delegatët ka qenë shumë e vështirë zgjedhja e emrave të propozuar.
“Ka qenë e vështirë për delegatët të zgjidhnin mes shumë personaliteteve të fushave të ndryshme”, ka thënë deputeti socialist.
Më tej, duke iu rikthyer procesit të numërimit, Balla ka nënvizuar se ai mund të përfundojë maksimumi ditën e mërkurë.
“Procesi do të vazhdojë gjatë natës, do ketë një pushim dhe do vijojë nesër me shpresën që të kemi një përfundim brenda darkës, apo maksimumi pasnesër”, ka saktësuar Balla.
Më tej Balla ka folur për organigramën e Partisë Socialiste, e cila sipas tij është më demokratikja, gjë që u konfirmua edhe me kongresin e së shtunës.
“PS ka strukturën më demokratike të funksionimit. Delegatët e PS janë të vetmit delegatë që zgjidhen përmes parimit “një anëtar një votë”. Nga delegatët kemi kaluar tek asambleja, që është organi i dytë më i rëndësishëm”, ka shtuar Balla.
Klosi: Do rikthejmë punën; Prona i takon të zotit
Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi mbrojti edhe njëherë në panelin e emisioni “Shqip” programin e socialistëve për hapjen e 3 mijë vendeve të punës në mandatin e parë të qeverisjes.
“Po të analizoni programin do të shikoni që 300 mijë vende pune janë një objektiv krejtësisht i realizueshëm. Do të rikthejmë punësimin tek shqiptarët. Në vend ka 1 milion të papunë”, tha deputeti Klosi duke shpjeguar më tej edhe qendrimin e PS-së për cështjen e pronësisë. Ai ripërsëriti qendrimin e socialistëve për heqjen e termit “ish-pronarë”. Prona, tha Klosi, i takon të zotit dhe e gjithë kjo cështje zgjidhet, sipas tij, vetëm me dixhitalizimin e të dhënave.
Më tej debati u zhvendos mes deputetit Klosi dhe kolegut të tij demokrat të ftuar në studio, Mark Marku. Marku kërkoi prioritin e socialistëve në programin e tyre. Pas kësaj u zhvillua një debat mbi prioritetin e qeverisë aktuale, që është infrastruktura.
Ndërsa për analistin Mustafa Nano Partia Socialiste ka një program të qartë, ku si prioritet duket se është bujqësia dhe turizmi. Zoti Nano hodhi një paralele mes programit të PS-së dhe atij të PD-së gjatë zgjedhjeve, kur prezantoi edhe taksën e sheshtë dhe administratën e vogël si risi. Të njëjtën gjë po bën edhe PS, tha Nano
Top Channel