Kurban Bajrami kremtohet në trojet shqiptare

06/11/2011 12:00

Festa e shenjtë e Kurban Bajramit festohet ditën e dielë në të gjithë Shqipërinë, ndërsa kryetari i Komunitetit Musliman, Selim Muça, bëri thirrje për më tepër harmoni, gëzim dhe paqe, në këtë ditë të shënuar.

“Kurban Bajrami është festa e sakrificës, e durimit dhe e varfërisë. Besimtarët të kenë më shumë begati, dashuri dhe harmoni në familje, pasi Kurban Bajrami është edhe festa e mirëkuptimit, faljes dhe bashkimit”, tha Muça, i cili mbajti fjalimin përpara besimtarëve të shumtë në bulevardin e Tiranës, gjatë mëngjesit.

Kryeministri Sali Berisha vizitoi rreth mesditës selinë e Komunitetit, duke transmetuar urimet, të cilave iu bashkua Presidenti Topi, kryebashkiaku Basha dhe krerë të tjerë të shtetit e opozitës. “Kjo festë e madhe e mëshirës, faljes, mirëkuptimit, vëllazërimit dhe
paqes, i bekon të gjithë besimtarët shqiptarë me më shumë dashuri e
respekt për njëri-tjetrin, me më shumë dëshirë e përkushtim për të
shfaqur vlerat e mirësisë e të solidaritetit njerëzor, si dhe për të
kryer vepra të dobishme në shërbim të vendit dhe të ardhmes së tij.Le të
shërbejë kjo ditë e shenjtë e kalendarit islamik si një mundësi
reflektimi të thellë për të gjithë ne, për të rishikuar e vlerësuar
harmoninë dhe tolerancën fetare, si vlerën më të arrirë të shoqërisë
shqiptare, për të na mundësuar që të kapërcejmë të gjitha vështirësitë e
të sotmes dhe realizuar të gjitha dëshirat dhe aspiratat e së
nesërmes”, thuhet në mesazhin e urimit të Presidencës.

Në të njëjtën ditë, Aleanca Kuq e Zi publikoi një komunikatë, në të cilën i bashkohej urimeve, por shtonte se “partitë nuk duhet të përdorin besimin për të fituar kapital politik”.

Bajrami është duke u përjetuar me gëzim edhe në trojet shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi morrën pjesë në kremtimet e mbajtura në xhaminë kryesore të Prishtinës, ndërsa kryeimami Sabri Bajgora veçoi se “nëpërmjet bërjes së kurbanit, të gjithë muslimanët afrohen dhe solidarizohen më shumë me realitetin e atyre që jetojnë në kushte të vështira ekonomike”.

Duke përfituar nga rasti, Top Channel i bashkohet urimeve për të gjithë besimtarët muslimanë.

Basha: Do të ndërtojmë xhaminë e madhe të Tiranës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, premtoi gjatë vizitës së tij në Komunitetin Musliman zhvillimin e projektit të anonçuar nga paraardhësi i tij Rama, për ndërtimin e një xhamie të madhe në kryeqytetin shqiptar.

“Projekti për ndërtimin e xhamisë do të vazhdojë dhe shumë shpejt do të mblidhet këshilli, i cili do të miratojë projektin. Në vitet e fundit kemi ndërtuar katedralen katolike dhe atë ortodokse, prandaj ky është një borxh që i kemi besimtaravë muslimanë”, theksoi Basha, ndërsa shprehu edhe ai urimet e tij për festën e Kurban Bajramit.

Mbetet e paqartë nëse Bashkia e Tiranës do të respektojë një projekt tashmë të aprovuar në muajt e fundit të mandatit të Ramës apo nëse do të shpallë një tender të ri për fituesin.

Mitrovicë, besimtarët vizitojnë varrezat në veri

Besimtarët myslimanë në Mitrovicë kaluan ditën e dielë urën e Ibrit, për të vizituar varrezat që ndodhen në pjesën veriore të qytetit.

Pas faljes së namazit të sabahut në xhamitë e vendosura në jugun e qytetit, afro 200 vetë, me autobusë dhe mjete private- kanë shkuar në varrezat në veri të Mitrovicës, ku kanë nderuar të ndjerët e tyre, raportojnë mediat kosovare.

Ata u shoqëruan nga forca policore dhe ato të “KFOR”-it, ndërsa nuk u raportuan incidente.

Kurban Bajrami
Festa e Kurban Bajramit ka si qëllim të saj frymëzimin e dashurisë, të triumfit të së mirës ndaj së keqes, vetëpastrimin e shpirtit dhe mbetet një simbol i sakrificës. Sipas përfaqësuesve të këtij besimi fetar, prerja e kurbaneve është një prej treguesve të afrimit tek e vërteta.

Kurban Bajrami është një ndër dy festat e besimtarëve myslimanë krahas Fitër Bajramit. Në këtë ditë bëhet kurban për hir të Zotit dhe mishi u dhurohet të varfërve. Në thelb, kjo festë është përkujtim dhe ripërtëritje e aktit të Profetit Ibrahim, të konsideruar “baba i profetëve”, i cili u tregua i gatshëm të sakrifikonte djalin e tij, Ismail, nga një urdhër i Zotit përcjellë në ëndërr. As Ibrahimi e as djali i tij, sipas burimeve hyjnore, nuk e vunë në dyshim dhe në diskutim urdhrin e Zotit, duke pasur një nënshtrim të plotë, provë e besimit dhe e devotshmërisë së tyre. Por, në momentin kur profeti Ibrahim do të sakrifikonte djalin e tij, Ismail, nga Zoti i vjen urdhri për ta ndalur dorën, duke i dhuruar një dash, që më pas u bë kurban për hir të Zotit. Nga kjo ndodhi, besimtarët përftojnë urtësinë e zbatimit të urdhrave hyjnorë, pa devijuar prej tyre me arsyetime sofistike dhe ky është tregues i një devotshmërie të thellë. Vlerë dhe urtësi tjetër e Kurban Bajramit është nxitja për dhurim dhe ndihmë ndaj atyre që janë në varfëri e në gjendje të rëndë ekonomike, si dhe forcimi i raporteve miqësore dhe familjare mes besimtarëve. Po kështu, Kurbani ka edhe vlerën e falënderimit të Zotit për furnizim nga dhuntitë e Tij.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel