Treni që s’po ndalet

05/11/2011 00:00

Kristo Thoma – Në mbyllje të serialit “Oktapodi 5”, krahas luftës së Silvia Kontit me
mafien, ngelet në kujtesë edhe një tren që vrapon drejt Italisë së
Jugut.

Herë pas here hyjnë në ekran skenat me vrapin e frikshëm të trenit. Ai i drejtohet një ishulli të blerë nga mafia, në tunelet e boshatisura të të cilit do të shkarkojë mbetjet kimike të ardhura nga Europa. Kjo marrëveshje e frikshme krijon makth dhe trishtim për shikuesin, duke e konsideruar diçka të papranueshme. Por krerët e mafies mendonin vetëm për fitimet e tyre dhe nuk mund të ishin të përgjegjshëm për të menduar pasojat katastrofike të shtrira në të ardhmen e shëndetit të qytetarëve. Në fund të serialit treni ndalet. Heronjtë e filmit arrijnë ta pengojnë atë të kryejë misionin e tij të zi.

“Sot (3 nëntor) me 73 vota kundër dhe 53 vota pro të opozitës Kuvendi ka rrëzuar dekretin e Presidentit Topi, për rishikimin e ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Isha duke lexuar pikërisht këtë lajm kur m’u kujtuan ato sekuenca filmi. Nuk e di pse më krijohet në mendje një lidhje midis Italisë së përshkruar tek “Oktapodi” dhe Shqipërisë së sotme. Kur shikon kronikat e lajmeve gjithnjë e më shumë të duket sikur je humbur në film. Vrasje e grabitje pa autorë. Një gjyqtar vritet në mënyrë mafioze në mes të qytetit të tij. Dyshohet për motive pronësie, por sërish pa autor. Ka edhe vrasje politikanësh pa autorë. Madje edhe vrasje deputeti. Në kabllogramet e “Wikileaks”-it, që lidhen me Shqipërinë, përmenden politikanë që supozohet të kenë lidhje të dyshimta. E, po të gërmosh nëpër kronikat e lajmeve, gjithnjë e më shumë gjen fakte që e përforcojnë ngjashmërinë e Italisë së filmave me mafiozë, me Shqipërinë e NATO-s.

Si qytetar ndihem i pafuqishëm ndaj këtyre gjërave. Ndihem i pafuqishëm edhe ndaj shfrytëzimit të pushtetit prej qeverisësve më shumë për punët e tyre personale, sesa për atë që hiqen sikur bëjnë, apo që duhet të bëjnë më shumë e më mirë, pra për të mirën e përgjithshme. E di që nuk është normale, por di po ashtu, që edhe shumë të tjerë ndihen të pafuqishëm si unë. Por ligji mbi plehrat i rivotuar në Parlament e kapërcen këtë situatë dhe nuk mund të rrihet pa thënë diçka. Ky ligj vjen si një kulm, vjen në fakt si stacioni më i fundit i një treni që nuk po di të ndalet. Një tren virtual në fakt pa lokomotivë, por vetëm me vagonë që vrapojnë qorrazi të udhëhequr nga një kryevagon, pa drejtim, pa busull. Një kryevagon, të cilit sytë i janë errur nga pushteti dhe vetëm pushteti e që nuk shikon asgjë tjetër përveç përfitimeve personale. Po dhe po. Vagonët e tjerë e ndjekin pa u ndier. Pa u merakosur se çfarë po shtypin në rrugëtimin e tyre. Edhe kur lëshojnë ndonjë zhurmë bezdisëse e bëjnë të detyruar për të qenë sinkron me kreun. Përndryshe ai i lëshon rrugës. Në fund të vargut bien në sy edhe dy universitete, që janë të gatshëm të sakrifikojnë nga imazhi i tyre, duke thënë se plehrat e qeverisë na vikan era trëndafil. Shumë të madh e paskan përfitimin përderisa ulen deri në këtë pikë. Stacione të tjera ka kaluar ky tren deri sa mbërriti te plehrat. Le t’i quajmë stacione të shurdhërisë. Vesh i shurdhët ndaj një pjese, sado e vogël qoftë ajo, (megjithëse personalisht besoj të kundërtën) e shoqërisë civile. Një pjesë e shoqërisë, në një nga stacionet e mëparshme, kundërshtonte prishjen e Piramidës, një pjesë tjetër kundërshtonte dy pika në formularin e censusit. Dy pika për të cilat nuk dëgjova asnjëherë asnjë argument bindës prej qeveritarëve se përse duhet të ishin aty. Mirëpo treni i kaloi këto stacione pa u ndalur as për të dëgjuar sadopak nga zëri i atyre që duhet të përfaqësojë, e jo më pastaj për të marrë mendim. A thua se u paskemi dhënë të drejtën të bëjnë si të duan me jetët tona pa na pyetur hiç. Në këtë pikë po i kërkoj ndihmë edhe zotit Basha. Le të përsërisë edhe një herë pas fushate refrenin: “Çdo zë duhet dëgjuar!”. Mesa duket qeverisësit, pjesë e të cilëve ai ka qenë dhe vazhdon të jetë, nuk e paskan kuptuar.

Ky tren nuk po dika të ndalet. Ai vrapon pa menduar se për çfarë kanë nevojë ata që votojnë. Por më e keqja është se ai nuk shqetësohet fare për pasojat që me ndërgjegje po i lë vendit. Ky tren është shumë më i rrezikshëm se ai i filmit. Ky, plehrat i ka vetëm një stacion. Madje nuk po më zë syri as heronj që ta ndalin. Britma ime sot do të ishte e fortë, shumë e fortë: më shumë se karrierën e ndonjë politikani të stërhaxhuar, dhe më shumë se interesat e biznesmenëve njerishkelës, zgjidhni një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj në këtë vend! Dhe unë mendoj se shumica prej nesh e meritojnë këtë. Prandaj në shumicë duhet të jemi dakord që ky tren të ndalet. Unë shpresoj dhe besoj se nuk do ulem asnjëherë aq poshtë sa të më konsiderojnë kosh plehrash. Po ju?

Gazeta “Shqip”

Top Channel