Zëvendësuesi i Cassano-s mund të jetë… Del Piero!

04/11/2011 14:05

Del Piero mund të jetë zëvendësuesi i Cassano-s në radhët e Milanit, informoi rrjeti “Mediaset” gjatë së premtes.

”Ideja e çmendur” ka lindur në një moment kur kampionët e Italisë në fuqi janë duke kërkuar një sulmues, ndërsa Del Piero-s i është bërë i qartë që kontrata e tij nuk do të rinovohet dhe që duhet të largohet nga Juventusi në fundin e këtij sezoni.

Galliani, administratori i deleguar i Milanit, gjithmonë ka pranuar simpatinë e tij për Del Piero-n, me të cilën kanë ekzistuar kontakte në të shkuarën. Për momentin, Milani është në gjendje t’i ofrojë 36-vjeçarit një vit shtesë në futboll, së bashku me një mundësi të fundit për të luajtur në Champions dhe për të synuar tituj të rëndësishëm.

Megjithatë, operacioni është ende një “fantazi”, pasi ndërlikimet e një kalimi të tillë do të ishin të mëdha dhe nuk dihet nëse Del Piero do të ishte i gatshëm të rrezikonte statusin e tij si një “flamur” i Juventusit, për të zgjatur karrierën me një vit më shumë.

Nëse kalimi nuk do të bëhet, kuqezinjtë do të shfrytëzojnë marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis dy klubeve për të vendosur nën kontratë sulmuesin tjetër me pak hapësira në këtë sezon, Fabio Quagliarella. Gjithashtu, drejtuesit e kuqezinjve po punojnë edhe për të përforcuar mesfushën, ku emri i preferuar është ai i Montolivo-s.

Top Channel