Ronaldo, 100 gola me Realin

03/11/2011 18:00

Kristiano Ronaldo me dy golat e shënuar ndaj Olimpikut të Lionit vendos një rekord të ri personal. Sulmuesi portugez i Realit të Madridit ngjitet në kuotën e 100 golave në 105 ndeshje të zhvilluara me klubin madrilen.

Ky rekord është pritur shumë mirë nga 26 vjecari i cili falenderoi futbollistët dhe trajnerin Murinjo për suksesin e tij.

‘Nuk e prisja që të arrija në kuotën e 100 golave të shënuar kaq shpejt. Dua të falenderoj shokët e mi të skuadrës dhe sidomos trajnerin Murinjo, i cili më ka dhënë mundësinë që të luaj dhe të përmirësohem më shumë”, deklaroi Ronaldo në një intervistë për faqen zyrtare të internetit të Realit të Madridit.

Më pas Ronaldo foli edhe për fitoren në Francë ndaj Lionit, që ishte e katërta për Realin e Madridit në fazën e grupeve të Ligës së kampioneve.

‘Për ne ishte e rëndësishme të fitonin dhe të siguronim  kualifikimin për në 1/8 e finaleve, ia arritëm qëllimit dhe jemi më të qetë. Luajtëm shumë mirë ndaj një skuadre që na i vështirësoi gjërat. Duhet të vazhdojmë kështu dhe të mos krahasohemi me skuadrat e tjera”, vijoi Ronaldo.

Në kampionatin spanjoll, Reali i Madridit ndodhet në krye të renditjes me 25 pikë në 10 ndeshje, 1 më shumë se Barcelona e vendit të dytë, që nga ana e saj siguroi kualifikimin në Ligën e Kampioneve pas fitores me Viktoria Plzen.

Top Channel