Pista e Misanos merr emrin Marco Simoncelli

03/11/2011 18:45

Pista e Misanos në Itali do të marrë emrin Marco Simoncelli. Kështu ka vendosur me unanimitet këshilli i administrimit të Santamonica Spa, një nga shoqëritë që ka në pronësi cirkuitin.

“Vendosëm që pista e Misanos të marrë emrin Marco Simoncelli në kujtim të pilotit të ndjerë, familjes së tij dhe mijëra fansave dhe sportistëve në të gjithë botën që admironin guximin dhe personalitetin e Simoncellit. Jemi të lumtur që këtë impiant do e lidhim me një njeri të shkëlqyer”, u shpreh presidenti i shoqërisë, Luca Colaiacovo.

Pista ndërkombëtare e Misanos është ndërtuar në vitin 1969 dhe ndodhet në Rimini.

Marco Simoncelli, piloti i Hondës së Fausto Gresinit, ndërroi jetë në 23 tetor pas një aksidenti në pistën e Malajzisë ku u përfshinë edhe Colin Edëards dhe Valentino Rossi.


Funerali
i 24-vjeçarit u mbajt javën e kaluar dhe në të ishin të pranishëm familjarë, miq, kolegë të tij dhe qindra tifozë.

Top Channel