Kriza godet Formula 1

03/11/2011 18:15

Plani i Berni Ekleston për të zhvilluar 20 gara në Botërorin e vitit 2012 po komplikohet gjithnjë e më shumë. Mësohet se 3 nga garat e Formula 1 për vitin 2012 rrezikojnë që të mos përfshihen në kalendarin e vitit të ardhshëm dhe shkak për këtë bëhet kriza ekonomike dhe ajo politike.

Kriza ekonomike duket se ka goditur garën e SHBA-së dhe të Koresë së Jugut. Punimet për pistën e Ostin po ecin me ritëm të ngadaltë dhe fondet financiare po reduktohen gjithnjë e më shumë, ndërkohë që gara është parashikuar të zhvillohet në muajin nëntor të vitit tjetër.

Pak a shumë e njëjta histori edhe me garën e Koresë së Jugut. Ndryshimi me atë të Ostin qëndron në faktin se Koreja e Jugut e ka tashmë pistën e zhvillimit të garës, por për fatin e keq mungojnë burimet financiare dhe bilanci në dy vitet e fundit ka rezultuar me humbje.

Gara e tretë që rrezikon të përjashtohet nga Botërori i Formula 1 është ajo e Bahreinit. Për këtë Cmim të Madh, ndikim kanë tensionet politike që kanë pushtuar vendin arab, por që nuk po zbuten dhe për këtë arsye skuadrat kanë kërkuar anulimin e kësaj gare.

Duke parë këtë situatë, për vitin 2012 parashikohet një sezon me 17 gara në kalendar dhe jo 20 sic ishte kërkuar nga Ekleston. Një gjë e tillë mund të pritet mirë nga drejtuesit e skuadrave të cilat do të kenë mundësi që të reduktojnë shpenzimet.

Top Channel