Gratë në politikë dhe vendimmarrje: një perspektivë e Mbretërisë së Bashkuar

03/11/2011 00:00

Fiona McIlwham – Unë jam vazhdimisht e impresionuar nga gratë që takoj, të cilat janë të angazhuara në jetën publike dhe civile në Shqipëri.

Jo vetëm me ato të profilit të lartë dhe në pozicione strategjike, si Kryetarja e Parlamentit, Prokurorja e Përgjithshme, ministrja e Integrimit, kryetarja e Gjykatës së Lartë apo kryetare bashkie si znj. Farrici në Burrel… po aq mbresëlënëse janë lideret e OJQ-ve, si Suela Lala dhe Bardhyllka Kospiri, edhe njerëzit si ju.

Të parat që ndryshojnë sistemin, ato janë të rëndësishme – Unë jam tepër krenare për femrat që ishin pionieret e ndryshimit të formës së politikës britanike dhe shoqërisë – si gra që luftuan për të drejtën e votës (në fillimin e viteve një mijë e nëntë qind (1900), deputetja e parë (Nancy Astor në vitin një mijë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë (1919), Kryeministrja e parë zonja Thatcher.

Por ajo që ne dimë nga përvoja në Mbretërinë e Bashkuar është se gratë në pozicione të larta, megjithëse të rëndësishme, nuk përkthehet automatikisht në barazi dhe përfaqësim më të mirë të grave dhe çështjes së tyre. Kur Margaret Thatcher u bë e para femër Kryeministre në vitin njëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë (1979), vetëm tetëmbëdhjetë (18) prej kolegëve të saj parlamentare ishin gra (nga pesëqind e gjashtë (506) deputetët). Sot, gratë janë ende të nënpërfaqësuara në politikë në Britani edhe në bordet e bizneseve. Padyshim gratë janë më të angazhuara dhe më të fuqishme në vendimmarrje, dhe më tepër në shërbimin publik se sa në sektorin privat. Të drejtat e tyre janë të mbështetura dhe vlera e tyre, më në fund, po njihen plotësisht – në vendin e punës, në komunitet, si nëna, si studente, si qytetare, dhe ç’është më e rëndësishmja, si udhëheqëse.
Çfarë kemi mësuar?

Së pari, barazia gjinore dhe fuqizimi i grave është një rrugë e gjatë. Vetëm javën e kaluar, iu dha më në fund e drejta e barabartë trashëgimtareve femra për të marrë fronin në Mbretërinë e Bashkuar! Një hap simbolik, ndoshta i vonuar, por i rëndësishëm dhe historik për Britaninë e Madhe dhe Komonuelthin.

Së dyti, kuotat apo masat e përkohshme të posaçme e bëjnë mirë punën e vet, vetëm trajnimi dhe lobimi nuk mjaftojnë. Ndryshe nga Shqipëria, ne nuk kemi një kuotë gjinore për deputetët në Parlament, por provat tregojnë qartë se përfaqësimi i grave është më i lartë në ato vende që kanë kuota, dhe kuotat mund të jenë veçanërisht të rëndësishme në përshpejtimin e pjesëmarrjes së femrave në demokracitë e reja.

Së treti, të bashkuara ne jemi më të fuqishme. Në Mbretërinë e Bashkuar në vitin njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë (1980), një grup gjithëpartiak “300 Group” u formua nga organizatat e grave dhe fraksionet e grave të partive politike për të trajtuar nën përfaqësimin e grave në politikë dhe për të krijuar presion mbi palët. Roli i tyre ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm në krijimin e një kërkese nga votuesit për kandidate gra, për të ofruar trajnim për gratë dhe për të rritur profilin e tyre në media.

Por ajo që me të vërtetë e solli ndryshimin në Britaninë e Madhe ishte kur vetë partitë politike e pranuan që ato kishin nevojë për më shumë gra, për të pasur sukses. Në fillim të viteve njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë (1990), në Britani, gratë u mobilizuan për të futur një kuotë për listat e partive dhe ushtruan presion në mënyrë që kandidatet gra të aplikonin për të siguruar vendet e lira në zonat respektive më të forta. E fundit është e rëndësishme. Gratë u vendosën me prioritet në vendet ku partia kishte gjasa për të fituar dhe jo në fund të listave thjesht si gjest simbolik.

Patjetër, përparimi i vërtetë u arrit në vitin nëntëdhjetë e shtatë (1997) me listat vetëm me gra. Presioni nga jashtë dhe brenda partive rezultoi se brenda katër (4) zgjedhjeve numri i deputetëve gra u rrit nga nëntëmbëdhjetë (19) në një qind e njëzet e dy (122).

Mundësitë e barabarta nuk janë vetëm për politikë dhe deputete femra, për drejtuese apo këshilltare. Janë gjithashtu për mundësi për arsim, kujdes shëndetësor, punë dhe kredi, mundësi për të gëzuar të drejtat themelore ligjore dhe njerëzore, si dhe për të marrë pjesë plotësisht në jetën publike. Por më shumë femra politikëbërëse dhe vendimmarrëse duhet të sigurojnë një fokus më të madh në çështjet që kanë rëndësi për gratë. Gratë duhet të jenë pjesë e axhendës së reformave, si aktiviste, gjeneratorë të ideve, votuese dhe vendimmarrëse
Le t’i kthehemi Shqipërisë…

Shqipëria ka shumë mjete – veçanërisht ligjore për të rritur dhe fuqizuar gratë. Për shembull ligji kundër diskriminimit, kuota ambicioze tridhjetë për qind (30%). Progres i rëndësishëm është edhe dyfishimi i numrit të deputeteve në vitin 2009.

Pavarësisht progresit, barazia gjinore ende nuk është konsoliduar. Sistemet e dobëta ligjore do të thonë që të drejtat themelore nuk zbatohen gjithmonë në mënyrë efektive. Ende mund të flitet për bllokazhe kulturore dhe institucionale.

Disa vëzhgime të bazuara në bisedat e mia këtu në Shqipëri dhe përvoja e Mbretërisë së Bashkuar:
Vëzhgime kulturore

Përkundër përparimit, imazhi dhe portretizimi i gruas këtu mbetet një çështje për t’u zgjidhur. Ndoshta dominanca e burrave në media shpjegon stereotipin, por ka edhe tradita shumë të forta. Kontributi i grave – aktualisht dhe në mënyrë potenciale – duhet të kuptohet më mirë. Barazia gjinore nuk është vetëm “një gjë e mirë për t’u bërë”. Nëse gratë janë të shëndetshme, të arsimuara, të lira nga dhuna, familjet e tyre do të lulëzojnë. Nëse femrat kanë një shans për të punuar dhe të fitojnë si partnerë të plotë dhe të barabartë në shoqëri, familjet e tyre do të lulëzojnë. Dhe kur familjet lulëzojnë, komunitetet dhe kombet gjithashtu. Statistikat tregojnë që pjesëmarrja e grave si në biznes ashtu dhe në politikë rrit, pasuron, dhe siguron një biznes dhe shoqëri më të fortë, më të begatë. Roli i grave duhet të jetë njësoj si në familje… Gjithkush ka një pjesë në të drejtat e grave.
Vëzhgime institucionale

Pjesëmarrja e grave nuk mund të jetë një “çështje e kuqe ose blu” ose vetëm për politikanët. Britania e Madhe dhe shembuj të tjerë tregojnë se gratë duhet të punojnë së bashku (me mbështetjen e burrave), në mënyrë që të kenë sukses. Ju keni mjete të rëndësishme ligjore. Tani duhet t’i përdorni dhe t’i përmirësoni – gratë duhet të jenë pjesë e debatit për reformën elektorale, si në Parlament ashtu edhe në partitë politike.

Nëse bëni kështu siç shpresoj, në të vërtetë, unë jam e sigurt, gratë do të luajnë një rol vendimtar dhe pozitiv në të ardhmen e Shqipërisë. Ky vend ka potencial shumë të pashfrytëzuar. Unë shpresoj se ju – gratë – do ta ndryshoni këtë.

*Fjala e mbajtur në tryezën e rrumbullakët për “Gratë në politikë dhe vendimmarrje – Shanset e barabarta sjellin zgjidhje konkrete”

Gazeta “Shqip”

Top Channel