“Tregtari i vdekjes”, Rusia inatoset me SHBA

03/11/2011 00:00

Moska zyrtare ka reaguar ashpër ndaj vendimit të një gjykate amerikane
që shpalli fajtor trafikantin rus të armëve, Viktor Bout.

Autoritetet ruse kanë vënë në dyshim pastërtinë e procesit gjyqësor dhe kanë deklaruar se do të përpiqen ta kthejnë Bout në shtëpi.

Të mërkurën, gjykata e Nju Jorkut e shpalli shtetasin rus fajtor për tentativën e shitjes së armëve të rënda tek një grup terrorist kolumbian.

Prokurorët thanë se Bout, i njohur ndryshe me nofkën “tregtari i vdekjes”, ka fituar miliona duke i shitur armë grupit rebel.

Pala mbrojtëse kundërshtoi duke thënë se ai kishte dashur të shiste vetëm dy avionë mallrash, por apeli i saj u shpërfill nga trupi gjykues.

Ish-oficeri sovietik u arrestua në Bangkok në vitin 2008, pas një operacioni të tipit “karem”, ku një informator i SHBA u shtir si përfaqësues i rebelëve kolumbianë.

Ai u mbajt nën kujdesin e autoriteteve tajlandeze për dy vjet, para se të ekstradohej në Shtetet e Bashkuara ku dhe u përball me gjyqin.

Por të enjten, Ministria e Jashtme ruse akuzoi Shtetet e Bashkuara se kanë shkelur standartet ndërkombëtare me arrestimin e Bout dhe marrjen e tij në pyetje.

Dikasteri i diplomacisë deklaroi se shërbimet amerikane e kanë mbajtur atë në kushte të vështira burgimi dhe kanë përdorur metoda kontroverse psikologjike dhe fizike për ta marrë në pyetje.

Top Channel