Nafta, 30 mijë tonë “helm” brenda makinës

02/11/2011 08:00

Një ndër arsyet pse makinat në Shqipëri amortizohen më shpejt, deri në shkatërrimin e plotë, lidhet me cilësinë e karburantit.

Sikur të mos mjaftonte infrastruktura e dobët rrugore, drejtuesit e automjeteve duhet të kujdesen edhe me cilësinë e karburantit.
Gazeta ‘Shqip’ bën të ditur se një raport i detajuar, hartuar dhe publikuar së fundmi nga Inspektorati Qendror Teknik, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, nxjerr në pah milionat e abuzimeve në tregun e naftës. Inspektimet e kryera në pika të ndryshme të shitjes së naftës, benzinës dhe gazit të lëngshëm, kanë zbuluar se rreth 10 për qind e tregut furnizon “mall” jashtë standardit.

Bëhet fjalë për karburante që tregtohen pasi janë kryer përzierje të paligjshme, duke shtuar sasinë e pastër me lëndë që i përshtaten përkohësisht lëngut djegës, të cilat nuk kanë standardin e duhur, me elemente ndotëse dhe të rrezikshme, jo vetëm për mjetin e transportit, por edhe për mjedisin.
Në raportin e IQT-së, i cili bazohet nga 5585 inspektimet e kryera gjatë periudhës janar-gusht 2011, mësohet se laboratorët e kontrollit nxorën rreth 592 mostra karburanti jashtë standardi, apo gati sa 10 për qind e të gjitha testeve të mbledhura, në rang vendi.

Sipas portalit ‘energjia.al’, mostrat e analizuara në laboratorë janë marrë në pika të ndryshme dhe nuk bëjnë dallim, nëse mblidhen nga autobotet, anijet-cisternë apo në pikat e zakonshme të shitjes. Për të pasur një panoramë më të qartë të situatës, IQT ndoshta duhet të kishte specifikuar se në cilën infrastrukturë janë gjetur kryesisht këto shkelje.

Nga të dhënat e mostrave dhe përqindja me abuzimet e zbuluara del se, nisur nga importi dhe prodhimi, kemi të paktën rreth 30 mijë tonë karburante pa standard që i ofrohet tregut. Në vlerë, përkthehet në rreth 4 miliardë lekë efekt negativ për xhepat e drejtuesve të automjeteve, vetëm nga cilësia e karburantit, pasi pasojat zinxhir vijnë me dëmtimin e mjetit dhe shpenzimet te servisi.

Megjithatë, ajo që konsiderohet më shqetësuese lidhet me mungesën e transparencës, që Inspektorati Qendror tregon ndaj konsumatorit, edhe pse me ligj ka pikërisht mbrojtjen e tij. Sikurse veprojnë shumë vende të BE-së, apo të rajonit, institucioni që ka zbuluar shkeljet duhet të kishte bërë publike emrat e shoqërive që tregtonin naftën jashtë standardit. Ky veprim duhet të ishte shërbimi më i mirë ndaj konsumatorit (dhe jo sikurse nxiton policia të bëjë publik emrin e dyshuar të kriminelit).

Tjetër problem që shikohet me shqetësim nga ekspertët e fushës ka të bëjë me masat ndëshkuese që, sipas tyre, janë tepër të ulëta. Ligji aktual parashikon gjoba që variojnë në 300 000-500 000 lekë për pikat e karburantit dhe 500 000-700 000 lekë për shoqëritë anonime. “Penalitetet nuk janë të lidhura me masën e abuzimit, por janë relativisht fikse. Theksoj se në rajon (p.sh. Greqi) një penalitet për një pikë karburanti mund të shkojë deri në 250 000 euro (në varësi të përqindjes së abuzimit)”, shprehet një ekspert i portalit ‘energjia.al’.

Debati mbi cilësinë e karburanteve në vend dhe forcën ndëshkuese të ligjit nuk ka reshtur kurrë, sikurse nuk ka prodhuar një rezultat të plotë final mbi zgjidhjet e mundshme. Qeveria tenton përmes VKM-ve të minimizojë ndotjet nga karburanti, duke vendosur limitin mbi squfurin, por pakkush nga institucionet ka kurajën të raportojë se sa dhe kush nga kompanitë e bën dëmin më të madh, në mënyrë që konsumatori të dijë se si të veprojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA