Tradhtarët e Partisë Socialiste

01/11/2011 00:00

Artan Mullaj – Në prag të Kongresit, Partia Socialiste është shumë pranë betejës së re me vetveten.
Me kostume dhe me kollare të kuqe, të zgjedhurit socialistë anembanë
vendit do të delegohen në të vetmin pallat simbol të bashkimeve
vullnetare, që është Pallati i Kongreseve.

Do të vijnë nga të katër anët, si vijnë të ftuarit në dasmë, të afërm dhe të largët dhe do të sillen njëlloj si ata. Çmallen, bisedojnë, pinë kafe, shmangin sa mundin fjalimet përmbushëse të kohës së paracaktuar të punimeve, por diskutojnë lirshëm mes tyre, me harmoninë që ju fal demokracia e thjeshtë e interpretimit të gjërave. Me kartonët kuq e gjelbër të votimit nëpër xhepat e brendshëm, përkrahës ose kritikë të forumeve të partisë së tyre, disa ngarkuar me mllefe, disa të zhgënjyer, të tjerë të magjepsur, ata do të jenë pjesë e një zhvillimi ku në fund, vota e tyre do të jetë natyrshëm pushtet.

Janë shumë ata që mendojnë se Partia Socialiste po hyn në Kongres si hyn në det të trazuar një anije me dërrasa të liruara. Analiza e zgjedhjeve ose anashkalimi i kësaj analize, humbja dhe vjedhja në Tiranë, humbja e këshillave dhe qarqeve në qytete dhe rrethe ku dominojnë socialistët, LMN-ja e shpallur dhe LMN të tjera të mundshme të pashpallura ende, ambiciet, grarizmat, thashethemet, gabimet strategjike të lidershipit, ndjesa e paralajmëruar për ndryshimet kushtetuese dhe për Kodin Zgjedhor, të gjitha këto do të jenë detaje ose faktorë në Kongres, që do të mund të kushtëzojnë rrjedhën e gjërave. Prandaj kartonët kuq e gjelbër në xhepat e brendshëm të kostumeve kuq e zi të delegatëve, paralajmërojnë furinë e një spektakli, për të cilin ka pritshmëri. Pritshmëri jo vetëm për mënyrën se si do të analizojë ky kongres dobësinë e socialistëve gjatë rezultatit të grabitur në Tiranë. Pritshmëri edhe për analizën e tradhtive të shtuara të këshilltarëve socialistë gjatë votimeve nëpër qarqe, apo siç thuhet ndryshe, për shitjen e votës kundërshtarëve matanë.

Por, pavarësisht pritshmërisë, nuk është e qartë nëse kongresi i socialistëve do të analizojë fenomenin, apo thjesht do të mjaftohet me masa dhe ndëshkime, çka është një rutinë e kuptueshme nga të gjithë. Në axhendën e tij, nuk dihet nëse disa folës do të thellohen në arsyet se përse u shitën, u blenë, u nxinë dhe u baltosën njerëz të zgjedhur si këshilltarë, të cilëve PS-ja u kish besuar edhe atyre kartonin kuq e gjelbër nëpër forumet e saja?

* * *

Pavarësisht nëse bëhet ose jo analizë, është e qartë se Partinë Socialiste e ka prekur xhuvelëria në nivelin e saj të përfaqësimit, nga kërthiza e lart. Kjo tregon se në prag të Kongresit, cilësia e këtij përfaqësimi është ende e ulët, dhe këtu me cilësi përfaqësimi kemi parasysh jo thjesht vlerat individuale të këshilltarëve socialistë, por pabesinë kolektive të tyre ndaj Partisë që i përzgjodhi.

Duke qenë se gripi i “xhuvelërisë” së këshillave dhe qarqeve, ka mbërthyer Partinë Socialiste, në fshat, në qytet, në Fier, në Berat, në Divjakë, në Vlorë, madje edhe në Tiranë, (ku njëri nga këshilltarët bashkiakë të opozitës gjithashtu voton kundër saj), është normale që elita e Partisë duhet ta marrë aq shumë seriozisht këtë gjë, sa ta debatojë ndershmërisht në Kongres. Kongresi duhet të analizojë fenomenin e rrjedhjes së votës jo vetëm si çështje karakteri individësh, pra jo vetëm si një shkak, por edhe si një pasojë strategjish të gabuara. Kongresi duhet të synojë të ndriçojë arsyen pse këta njerëz tradhtojnë, pse këta njerëz shiten e blihen, si të jenë mallra apo kafshë tregu në pazar.

Shitblerja në politikë është diçka tejet shqetësuese për të gjithë. Dëshmon nivelin e inflacionit që ka ndershmëria dhe drejtësia në vend. Sot, si një bastion i fuqishëm politik, më shumë se pasuri kombëtare, PS-ja është një përgjegjësi kombëtare. Përgjegjësi kombëtare është mbarëvajtja dhe suksesi i këtij kongresi. Përgjegjësi kombëtare është gjithashtu që Partia Socialiste të dalë me një moral të ri nga dyert e sallave, ku zakonisht ulja dhe ngritja e kartonëve ka qenë një vullnet i munguar. Që Partia Socialiste është e vetmja alternativë qeverisëse, mbas mungesës së frikshme të alternativës ku e ka zhytur vendin pushteti i Saliut, kjo gjë e shumëfishon përgjegjësinë e saj. Sepse nuk bëhet më fjalë për pushtet, por për shpëtimin e vendit. Këtu nuk shtrohet çështja kush do të jetë Kryeministër dhe kush do të jetë çfarë. Këtu ngrihet si një re e zezë dilema, a do të arrijë opozita të shpëtojë Shqipërinë në frymën e fundit.

* * *

Nëse një apo disa këshilltarë janë gati të ndotin moralin e tyre për një tufë kartëmonedhash, përgjegjësia nuk është vetëm e tyrja. Përgjegjësia është edhe e forumeve që i zgjodhën ata. Me ç’kritere, ç’vullnet, ç’debat janë zgjedhur? Derisa kanë devijuar, është e qartë që këta “Hamzanj” të këshillave, janë zgjedhur gabim, prandaj Partia Socialiste, pasi të pranojë që ka gjetur symbyllur disa ujqër për t’ju varur mëlçitë në qafë, duhet të premtojë të ndërtojë një mekanizëm demokratik të përzgjedhjes.

Le t’i shohim në sy “tradhtarët”. Mbase vështirësitë financiare, për shkak të qenies në opozitë, mund të justifikojnë në njëfarë mënyre disa persona të veçantë të mandatuar të rrëshqasin në “mëkatin e shitjes së kauzës që përfaqësojnë”. Mëkatet janë për njerëzit. Mirëpo nuk është se kemi të bëjmë me një rast, e as vetëm me disa raste. Rastet janë aq shumë sa mjaftojnë për ta shndërruar “këtë rrëshqitje kolektive të këshilltarëve socialistë” në një fenomen. Tradhti në Berat. Tradhti në Sarandë. Dhe tradhtitë rrezikojnë të shtohen akoma më shumë, aq sa ta shndërrojnë këtë fenomen në epidemi xhuvelërie. Mos ndoshta nuk janë vetëm vështirësitë ekonomike dhe “nevoja për paratë e pista” që afron me shumicë mazhoranca, arsyeja themelore e tradhtive? Mos ndoshta kjo histori, është sa babëzia për para, aq edhe pasojë e humbjes relative të besimit tek lidershipi i partisë?

Të thuash që disa njerëz tradhtojnë grupimet e tyre vullnetare për shkak të humbjes së besimit, është sa e thjeshtë, aq e komplikuar. Por në çdo rast, është serioze. Në pamje të parë, është e trishtë, por njerëzore të tradhtojë dikush diçka që nuk beson më. Madje kjo gjë, tradhtia, në rrethana të tilla, mund të pushojë së qeni tradhti… Këtë pohim e komplikon edhe më shumë kolektiviteti dhe spontaniteti. Vështirë të ndodhë rastësisht e njëjta gjë në vende të ndryshme në kohë të ndryshme, përveçse kur, grupimi, pra Partia Socialiste, ka probleme koherente me harmoninë brenda saj. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që kur baza fillon humb besimin te forumet, kur forumet humbin magjinë dhe aftësinë të joshin të komanduarit e tyre militantë me performancën e tyre, fillojnë tërmet në kontratën e tyre. Kërcasin dërrasat dhe lirohen vidhat.

Prishja e harmonisë ndodh edhe kur lidershipi nuk e kupton psikologjinë e bazës. Ose kur baza nuk e pranon më fodullëkun shqiptar të lidershipit, pasi është zgjeruar hendeku. E thënë ndryshe, ky moskuptim dhe ky mospranim çojnë në një çarje, që vijon me një përçarje, pasojat negative të së cilës janë ato që po na lënë sot gojëhapur. Fodullëku që buron prej qenies deputet apo kryetar njësie a qyteti apo i afërt me të mëdhenjtë e partisë, interferon me fodullëkun gjenetik të shqiptarëve, që e kanë në natyrën e tyre, dhe të dyja bashkë, nxjerrin në dritë, në shesh dhe në vëmendje ca personazhe që janë shndërruar në dinamit mes nyjave të partisë, duke e rrezikuar atë në çdo kohë.

Mënyra se si zgjidhen apo përzgjidhen deputetë, eksponentë, koordinatorë, kryetarë, përfaqësues të një force politike, kjo ka të bëjë direkt me qasjen e saj morale, konkretisht me besimin brenda partisë, saktësisht me vlerat e saj. Një forcë e caktuar politike, sidomos kur kjo forcë politike është në opozitë, mund e duhet të kuptojë se mbi të gjitha, populli ka nevojë për moral, ndershmëri, integritet dhe fisnikëri. Kjo do të thotë se organizimi i strukturave duhet të ketë për orientim pikërisht këtë qasje. Në kushtet kur në PS kish edhe ka deputetë e funksionarë me moral të dyshuar, që ju rrjedhin lëngjet të shijojnë supën e xhuvelërisë sepse janë të varur prej saj si janë të varur prej FB-ut, strukturat kanë nevojë urgjente për prurje të reja cilësore, për njerëz të rinj, intelektualë të rinj, vizionarë të rinj, që do të ngrenë ndjeshëm nivelin e përfaqësimit.

Opozita duhet të krijojë kredibilitet të ri me anën e shembujve që do të paralajmërojnë një sjellje ndryshe të pushtetit. Dorëheqja, sinqeriteti, thjeshtësia, këto veçori duhet të spikasin në kryesinë e partisë. Dikush mund të habitet nga kjo, sepse kjo gjë ka një koeficient të madh marrëzie. Është megjithatë marrëzi e shëndetshme. Kupolistët e PS-së mund dhe duhet të edukohen me komoditetin e modestisë. Duhet të luftojnë fodullëkun instiktiv, që buron edhe për shkak të manisë së tyre instiktive për të imituar shefat e tyre fodullë e hijerëndë.

…Në përpjekjen për të udhëhequr më mirë dhe më pastër, rri fshehur mundësia për të fituar besimin e turmës.

Thjeshtësia në komunikim mund dhe duhet t’i ndihmojë këta prijës të kuptojnë se më parë se pushteti, vota është një perceptim, dhe më pas një përpjesëtim. Një shkallëzim ndjeshmërie. Qytetari orientohet në votim nga detaje të vogla, shpesh të parëndësishme. Kjo është një konstante që nuk duhet anashkaluar. Një vajzë studente nuk mund të votojë kurrë një deputet që pështyn në tokë si halabak, apo shfryn me fjalor vulgar vartësit e tij: le të vlejë ai sa të dojë; le të jetë gjithë ditën mik i vjetër i Edi Ramës; le të vijë drejt e nga qielli në Tokë, prej strehës së engjëjve…

Gazeta “Shqip”

Top Channel