Serialet televizive, pas suksesit nis pikiata

01/11/2011 13:35

Industria televizive në Shtetet e Bashkuara arriti pikun kur nisi valën e serialeve rreth 10 vjet më parë, por tani duket se gjërat po ndryshojnë.

Pas shumë serialeve të suksesshme, si tre variantet e “CSI”: Las Vegas; Nju Jork; dhe Majemi, “Dr. House”, “Grey’s Anatomy”, “Prisonbreak”, “The Shield”, “24”, etj, idetë e producentëve po mbarojnë.

Kjo, pasi prodhimet e fundit nuk kanë arritur suksesin e pritshëm dhe kanë përfunduar në “koshin e mbeturinave”.

Një numër i madh serialesh të prodhuara në vitet e fundit janë mbyllur jo vetëm me sezonin e parë, por vetëm me seritë e para. Disa prej tyre janë:

Undercovers – Një aksion-spiunazh me jetën e një cifti që kryen operacione të fshehta për llogari të CIA-s. Seriali u mbyll vetëm pas 6 serive për shkak të shikueshmërisë tejet të ulët.

My Own Worst Enemy – Një tjetër serial i tipit aksion-spiunazh, që edhe pse me një aktor të njohur si Christian Slater, dështoi pas 9 episodesh.

Miami Medical – Bën fjalë për punën e një grupi kirurgësh në një spital të Majemit. Edhe pse me një grup aktorësh tërheqës, seriali nuk mori dritën jeshile për sezonin e dytë dhe u mbyll pas 13 serish të të parit.

Charlies Angels – Pritej të ishte rikthimi i madh i serialit të viteve 70-80, që zgjati katër sezone, ndërkohë që riprodhimi i CBS zgjati vetëm katër seri.

Black Donnelly
– Seriali rrëfente jetën e katër vëllezërve irlandezë në një lagje-geto të Nju Jorkut, të përfshirë me dhe pa dashje në botën e krimit. Por vëllezërit “u vranë” në fund të sezonit të parë, pasi për shkak të shikueshmërisë së ulët producentët vendosën të mos vazhdonin projektin.

Flashforward – Një serial i tipit aksion dhe fantastiko-shkencor që nuk bindi teleshikuesit, edhe pse protagonist kishte një aktor të njohur si Joseph Fiennes.

Përvec këtyre janë edhe shumë të tjerë që kanë dështuar për shkak të shikueshmërisë së ulët. Ndër prodhimet e pakta të fundit që kanë mbijetuar janë “White Collar”, që pas suksesit të sezonit të parë ka “marrë lejen” për sezonet e ardhshme.

“Persons With Interests”, që ndryshe nga i pari, mori dritën jeshile për të përfunduar sezonin e parë. Seriali pati një shikueshmëri mesatare, ndryshe nga serialet e mëparshme të prodhuara nga regjisori i tij J. J. Abraams, “Lost” dhe “Alias”.

Të njëjtin fat ka pasur edhe riprodhimi i “Nikita”, vrasjësja e pamëshirshme që këtë herë interpretohet nga aktorja aziatike Magy Q. Në televizionet amerikane ka filluar të transmetohet sezoni i dytë, që do të vendosë edhe fatin e prodhimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA