Ndeshje vendimtare në Ligën e Kampioneve

01/11/2011 15:20

Skuadrat pjesëmarrëse të Ligës së Kampioneve rikthehen në fushat e lojës. Sot do të luhen ndeshjet e grupeve E, F, G dhe H ku pritet të bëhen edhe konfigurimet e para për fazën e dytë të aktivitetit më të rëndësishëm europian.

Në Grupin E, të bie në sy sfida mes Valencias dhe Bajer Leverkusen. Skuadrës spanjolle do t’i duhet të fitojë me cdo kusht në Mestaja për të pasur shanse konkrete për kualifikim në 1/8 e finaleve të ligës së Kampioneve. Ndërkohë në ndeshjen tjetër, Çelsi ka një detyrë më të lehtë pasi do të ketë përballë Genk ndaj të cilit do të synojë suksesin e radhës.

Në grupin F, Arsenali do të presë Olimpikun e Marsejës për të konfirmuar vendin e parë. Skuadra londineze është në një formë të mirë, por Marseja do të kërkojë hakmarrjen për humbjen e pësuar 2 javë më parë në Velodrom. Borusia Dortmund do të luajë me Olimpiakos një ndeshje shumë të rëndësishme. Kampionët e Gjermanisë janë në vendin e fundit dhe do të kërkojnë që në sfidat e mbetura të grumbullojnë pikët e mjaftueshme për kualifikim.

Në Grupin G, situata është më e ekuilibruar. APOEL-i kryesues do të presë në fushën e tij Porton. Skuadra qipriote që është befasia e këtij sezoni në Ligën e Kampioneve vjen në këtë sfidë si kryesuesja e këtij grupi me 5 pikë, ndersa Porto ka 4 pike. Në Rusi, Zeniti do të luajë ndeshjen me Shaktjor Donjetsk. Ndeshja e parë mes këtyre skuaddrave përfundoi në barazimin 2-2 dhe në këtë përballje gjithcka mund të ndodhë.

Në Grupin H, situata është e gjitha në favor të Barcelonës dhe Milanit që do të luajnë ndaj Viktoria Plzen dhe BATE Borisov. Dy skuadrat kryesuese të këtij grupi mund të sigurojnë që sot kualifikimin për të lënë si pikëpyetje të vetme cështjen e vendit të parë.

Top Channel