“Achtung Baby”, 20 vjet histori suksesi për “U2”

01/11/2011 16:35

20 vjet më parë, Bono Vox dhe banda e tij “U2” publikuan “Achtung Baby”, një album që u shndërrua në një histori suksesi për një ndër bandat më jetëgjata në historinë e muzikës botërore.

Albumi fitoi një trofe Grammy për performancën rrok më të mirë dhe u shndërrua në një prej albumeve më të mira në nisje të viteve ‘90 dhe shenjon nisjen drejt rrugës së suksesit të “U2”.

Për të shënuar 20 vjetorin e “Achtung Baby”, këtë 1 nëntor albumi u rihodh në treg. Albumi për të parën herë u publikua më 31 tetor të vitit 1991. Bandës së rrokut, realizimi i këtij albumi i ka marrë plot 6 muaj në studiot e Berlinit dhe të Dublinit, dhe si albumi i shtatë i realizuar prej tyre ka mundur të shesë 18 milion kopje në të gjithë botën.

Të realizonte këtë album nuk ka qenë e lehtë për bandën e rrokut. Ndërsa tani, pas 20 vjetësh, në nisje të vitit 2011, legjendarët “U2” u rikthyen edhe një herë në studion e Berinit për të ridiskutuar për albumin “Achtung Baby” në dokumentarin “From The Sky Down”, një film i cili çeli Toronto International Film Festival në muajin shtator dhe që u transmetua më pas edhe në televizion.

Ndërsa ripublikimi i këtij albumi, tepër i rëndësishëm për historinë e muzikës botërore dhe një pikë kthese për grupin, është një lajm tepër i mirë për fansat. Disa prej këngëve,  tani pas 20 vjetësh vijnë të ripunuara, disa prej tyre vijnë në versionin mix. Një gjë është e sigurtë, suksesi i albumit ka për të qenë i madh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA