Galliani: Cassano është më mirë

31/10/2011 00:00

Antonio Cassano është i shtruar në Poliklinikën e Milanos që nga e shtuna në mbrëmje dhe mëngjesin e së hënës i është nënshtruar analizave dhe verifikimeve të tjera për të kuptuar arsyen e vështirësive në lëvizje dhe të folur që pati gjatë kthimit nga Roma me ekipin e Milanit.

Për të qetësuar tifozët kuqezinj ka menduar Adriano Galliani, administratori i deleguar i Milanit.

“Me Antonion kam folur dhe kam shkëmbyer shumë mesaze. Është më mirë dhe jam i bindur që do ta marrë veten. Cassano është me humor të mirë dhe i qetë. Probleme të tilla nuk mund t’i shpjegoj sepse nuk jam doktor, por mund të them që gjëra të tilla ndodhin”, tha Galliani.

Edhe trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, u tregua optimist: “Shpresojmë që ta kemi sa më shpejt në skuadër. Kam komunikuar me të dhe mu duk më mirë. I gjithë ekipi është i shokuar.”

Cassano do të qëndrojë të paktën edhe një ditë tjetër i shtruar në spital për të bërë të gjitha analizat e nevojshme.

Doktori i Milanit theksoi të dielën se “Cassano nuk është mirë dhe po hetojmë”, ndërsa burime brenda klubit nënvizojnë se bëhet fjalë për një “rast delikat, por jo të rëndë”.

Top Channel