Babai i Simoncelli-t: Një minutë zhurmë për tim bir

31/10/2011 09:00

Babai i pilotit që humbi jetën në pistën e Malajzisë, Marco Simoncelli, ka kërkuar që në Cmimin e Madh të Spanjës në Moto GP të mos mbahet një minutë heshtje në nderim të djalit të tij, por t’i dedikohet një minutë e mbushur me zhurmat e motorrëve të ndezur.

“Më 6 nëntor, në pistën e Valencias nuk dua që të mbahet 1 minutë heshtje për tim bir, por dua që të gjithë motorët e kategorive 125 cc, Moto 2 dhe Moto GP të ndizen njëkohësisht dhe të dëgjohet zhurma e tyre përgjatë 60 sekondave”, tha Paolo Simoncelli në një emision televiziv italian.

Në lidhje me solidaritetin që kanë treguar njerëzit, Paolo theksoi: “Kanë ardhur njerëz nga e gjithë Italia dhe nga shtete të tjera të botës për t’i dhënë lamtumirën e fundit Marcos. Qajnë dhe jam unë ai që i ngushëlloj. Kjo ngrohtësi më bën të ndihem më mirë.”

Piloti Simoncelli humbi jeten ne nje aksident tragjik ne garen e 23 tetorit ne pisten Sepangut ne Malajzi.

 

Skuderia Gresini: Në Valencia për Simoncelli-n

Skuderia për të cilën pilotonte Marco Simoncelli, San Carlo Gresini Honda, do të marrë pjesë në garën e Valencias, në Spanjë.

Vetëm një ditë pas vdekjes tragjike të pilotit 24-vjeçar italian, shefi i skuderisë, Fausto Gresini ishte shprehur se skuderia e tij nuk do të ishte e pranishme në garën e radhës së Moto GP, por tashmë duket se ka ndryshuar mendim.

“Vendimi ka qenë i vështirë për tu marrë, por dëshira e Simoncelli do ishte që ne të garonim. Të zbresim në pistë do të jetë mënyra më e mirë për të nderuar dashurinë e tij të madhe: garimin”, deklaroi Fausto Gresini.

San Carlo Gresini Honda do të zbresë në pistë më 6 nëntor me pilotët Hiroshi Aoyama në kategorinë Moto GP dhe me Michele Pirro dhe Yuki Takahashi në kategorinë Moto 2.

“Jam i bindur se pilotët tanë do të japin maksimumin për të nderuar shokun e tyre në pistë”, shtoi Gresini. 

Motoçiklizmi “qan” Simoncelli-n

Shokët, kundërshtarët, shefat e ekipeve, pilotë të kategorive të tjera… e gjithë familja e motoçiklizmit shprehu trishtimin e madh për humbjen e pilotit italian Marco Simoncelli.

Valentino Rossi (pilot i Ducati) – Simoncelli për mua ishte si një vëlla i vogël. Ishte i ashpër në pistë dhe i ëmbël në jetën e përditshme. Ende nuk e besoj. Do e ndjej shumë mungesën e tij.

Dani Pedrosa (pilot i Hondës) – Kur ndodh diçka e tillë, çdo gjë tjetër është e parëndësishme. Ky sport është shumë i vështirë dhe shpeshherë harrojmë se sa i rrezikshëm është. Simoncelli ishte një pilot plot pasion dhe guxim.

Jorge Lorenzo (pilot i Yamaha) – Nuk kam fjalë. Simoncelli do të na mungojë shumë.

Carmelo Ezpeleta (promotori i kampionatit botëror të Moto GP) – Nuk mund të bëhej më shumë nga mjekët dhe doja që t’ia jepja personalisht këtë lajm të gjithë pilotëve që janë shumë të trishtuar. Më ka habitur fortësia e babait të Simoncelli, i cili e mbajti veten mirë. Është një burrë i mrekullueshëm.

Andrea Dovizioso (pilot i Hondës) – Ne pilotët japim gjithçka në pistë dhe harrojmë që në çdo kthesë mund të ndodhë tragjedia.

Nicky Hayden (pilot i Ducati) – Dhimbja është e madhe. Në pistë jemi të gjithë vëllezër dhe pjesë e një familjeje të madhe.

Uncini: Nuk mund të evitohej fataliteti

I deleguari i sigurisë së Moto GP, Franco Uncini, deklaroi pas vdekjes së Marco Simoncelli-t në cirkuitin e Sepangut në Malajzi, se është bërë shumë në rritjen e sigurisë së garave, por që fatkeqësisht “fataliteti nuk mund të evitohet”.

“Nuk mund të bëhet asgjë kundër fatalitetit. Jemi të pambrojtur ndaj tij dhe duhet të pranojmë fatkeqësinë”, u shpreh Uncini në një emision radiofonik italian.

Uncini, i cili në epokën e tij si pilot ka pësuar një aksident të ngjashëm me atë të Simoncelli duke mundur të mbijetojë, tha se pista e Malajzisë “i respekton të gjitha normat e sigurisë. Ishte një aksident si gjithë të tjerët, por fati i keq është se motorrët ishin shumë pranë njëri-tjetrit. Kjo ishte drama.”

Top Channel