Rikthehen radhët në Kapshticë

30/10/2011 16:35

Megjithëse nuk është sezon fluksi, në doganën e Kapshticës janë rishfaqur radhët e gjata që të kujtojnë muajin gusht, muaj kur hyrje-daljet shumëfishohen për shkak të rikthimit të emigrantëve shqiptarë në atdhe për pushime.

Radha ka shkuar në qindra metra në dy korsi rruge në anën shqiptare të kufirit ku qindra persona presin për përpunimin e dokumenteve të nevojshme për kalimin e kufirit.

Mësohet se radha është shkaktuar si pasojë e punës me ritme tepër të ngadalta nga ana e palës greke, e cila punon me vetëm një sportel. Pala shqiptare vijon të punojë me gjashtë sportele.

Nuk ka asnjë shpjegim nga pala greke se përse punohet me vetëm një sportel, megjithëse nuk është shpallur asnjë grevë nga ana e sindikatave helene apo formë tjetër proteste kundër masave të ndërmarra nga qeveria e Athinës për tejkalimin e krizës financiare.

Protestat nga ana e doganierëve grekë kanë qenë të shpeshta muajt e fundit, madje në disa raste shërbimi për automjetet është ndalur për 48 orë.

Top Channel