Juventusi fiton derbin italian

30/10/2011 08:00

Juventus është fitues i Derbit të Italisë. Skuadra e drejtuar nga Antonio Konte mundi në San Siro Interin 2-1 duke ruajtur edhe vendin e parë në renditjen e përgjithshme.

Sfida e zhvilluar mes këtyre skuadrave ishte e hapur dhe me shumë raste shënimi. Madje minutat e para folën për Interin që u shfaq disa herë përballë Bufon, por Juventusi ishte ai që zhbllokoi rezultatin me Vucinic.

Reagimi i zikaltërve ishte i menjëhershëm dhe Maikon barazoi gjithçka në këtë ndeshje. Barazimi i Interit zgjati shumë pak, pasi Markizio shënoi golin e dytë për Juventusin. Edhe në pjesën e dytë, skuadrat patën mundësi shënimi, por nuk mundën të shfrytëzonin rastet e krijuara. Me këtë fitore Juventus është në kuotën e 19 pikëve, 2 më shumë se Milani në vendin e dytë.

Kuqezinjtë, nga ana e tyre, mundën Romën në Olimpiko me rezultatin 3-2. Fillimi i takimit ishte më i mirë për verdhekuqtë që u shfaqën në disa raste të rrezikshëm përballë Abiatit. Por ishte Milani ai që kaloi në avantazh në minutën e 17 me anë të Ibrahimovic që gjuajti saktë me kokë pas një pasimi të Akuilanit.

Roma reagoi dhe arriti të gjejë golin e barazimit me Burdison nga një goditje këndi. Pas 2 minutash Alesandro Nesta ktheu Milanin në avantazh, edhe ky pas një goditje këndi. Në pjesën e dytë, Roma u përpoq shumë për të shënuar golin e barazimit, por Milani ndëshkoi sërish. Zlatan Ibrahimovic shënoi golin e tretë.

Në minutat e fundit, Bojan Kërkic riktheu Romën në lojë duke shënuar golin e dytë, por koha ishte e pamjaftueshme për skuadrën e Luis Enrikes për të evituar disfatën e dytë radhazi.

Katania befasoi Napolin duke e mundur atë me rezultatin 2-1. Kavani kaloi në avantazh napoletanët, por skuadra e drejtuar nga Vincenzo Montela përmbysi gjithçka. Në minutën e 25 markeze shënoi golin e barazimit, ndërkohë që Napoli mbeti me 10 futbollistë. Në fillimin e pjesës së dytë, siçilianët shënuan edhe golin e dytë me Bergesion duke u barazuar me pikë me skuadrën e Napolit.

Top Channel