Mikrokredia nuk njeh krizë

29/10/2011 00:00

Teksa industria financiare është goditur fort nga kriza, një segment i
saj, ai i mikrokredive, që jepen kryesisht për bizneset e vogla dhe
fermerët duket se po përballet mjaft mirë.

“Në fund të vitit 2010, portofoli në risk i unionit sh.p.k ka qenë 3.8 përqind, që është një shifër shumë interesante”, tha Zana Konini, drejtore e Uninonit Shqiptar te Kursim Kreditit

Avantazhi kryesor i mikrokredisë është se ajo nuk kërkon garanci për hipotekë. Në fund të vitit 2010 përmes kësaj skeme kanë marrë financime mbi 58 mijë individë apo biznese të vogla, numër që ka ardhur në rritje nga viti në vit.

“Targeti i mikrofinancës janë përsonat fizikë ose juridikë, të cilët e kanë të vështirë të shërbehen nga sistemi bankar. Për ta sistemi bankar nuk është interesuar për shumë arsye. Në fund të 2010 totali i portofolit të kredisë ka qenë për të gjithë institucionet e mikrofinancës rreth 14 miliardë lekë”, tha Konini.

Drejtoresha thotë se kërkesa për kreditë e vogla vijon të mbetet e lartë, sidomos tek fermerët.

“Ndërsa në zonën urbane klientela është ndarë sipas targetit, pjesën me nevoja më të madhe e mbulon institucioni i mikrofinancës, pjesën tjetër e mbulon sistemi bankar. Në zonën rurale nuk ka pothuajse asnjë ndërhyrës financiar dhe nevojat për kredi mbeten akoma larg të qenurit të plotësuar”, tha Konini.

Në shumë vende të botës, kryesisht ato me të ardhura të ulëta, mikrokredia është shndërruar në një nga financuesit kryesor të fermerëve të varfër, apo bizneseve të vogla individuale dhe familjare.

Top Channel