Vdekja e Simoncelit, Lorenco kundër të atit

28/10/2011 17:20

Dita e funeralit të Marko Simonçelit, që humbi jetën pas aksidentit tragjik në Çmimin e Madh të Malajzisë, rezultoi e trishtuar, por edhe e hidhur për Horge Lorenzo. Ishte e trishtuar se piloti spanjoll përcolli për në banesën e fundit një pilot të ri me shumë ambicie edhe pse ka pasur jo pak polemika me të.

Në Librin e ngushëllimeve të vendosura në hyrje të Kishës së Korianos ku u mbajt mesha në kujtim të Simonçelit, Horge Lorenzo kishte shkruar: ‘Marko, më fal për grindjet tona”.

Por rikthimi në Spanjë ishte akoma më i hidhur për të, madje u shoqërua edhe me një zemërim të ish-kampionit të botës në MotoGP. Lorenco, u shokua nga fjalët e babait të tij, Çiço, i cili kur komentoi tragjedinë e Malajzisë e cilësoi Simoncelin si pilot të papërshtatshëm për garat me motorë nga ana psikologjike.

Reagimi i pilotit të Jamahës ishte i menjëhershëm duke lëshuar një mesazh në profilin e tij të rrjetit social Twitter.

“U ktheva pas funeralit të Markos. Ishte një ditë e trishtuar ku ndjeva dhe ngrohtësinë e tifozëve dhe familjes së Simonçelit. Për këtë arsye nuk dua që askush të mendojë se unë jam dakord me deklaratat e babait tim, që ishin një turp. Tragjedia e Malajzisë mund t’i kishte ndodhur cdokujt”, thuhet në mesazhin e Lorencos në Twitter.

Top Channel