Operohet Rossi, rikthehet në prill

28/10/2011 11:40

Sulmuesi i Vilareaelit dhe i kombëtares italiane, Giuseppe Rossi, iu nënshtrua ditën e shtunë një operacioni në ligamentet e kryqëzuara të gjurit, dëmtim që do ta mbajë jashtë fushave deri në fundin e sezonit.

Operacioni u realizua në një klinikë në orët e para të mëngjesit dhe përfundoi me sukses. I dëmtuar në humbjen 3-0 në fushën e Realit të Madridit, për sulmuesin është në dyshim tashmë edhe paraqitja në finalet e Europianit.

Një dëmtim kaq i rëndë, nuk ishte parashikuar prej askujt. Në fakt, Rossi ndieu një shqetësim në gju gjatë një driblimi dhe kërkoi zëvendësimin, por vetëm për të mos rrezikuar. Ai doli me këmbët e tij pa çaluar dhe madje pas ndeshjes, u paraqit edhe në zonën e intervistave për të folur me gazetarët.

Ishte një rezonancë manjetike ajo që tregoi se çfarë kishte ndodhur me të vërtetë me ligamentet dhe mjekët e futën në operacion menjëherë, pasi në rastet e dëmtimeve të tilla, shanset për sukses janë më të mëdha kur ndërhyrja kryehet menjëherë.

Sipas mjekëve, rikuperimi do të jetë i gjatë dhe mund të parashikohet që Rossi të rikthehet të luajë në gjysmën e dytë të prillit. Sezoni i humbur, por për italianin, rrezikohet edhe grumbullimi me kombëtaren në Europianin e Polonisë dhe Ukrainës.

Top Channel