Conte: Ndaj Interit, ndeshje si të tjerat

28/10/2011 15:30

“Ajo kundër Interit do të jetë një ndeshje e madhe ndaj një skuadre të madhe, por në fund të fundit vlen vetëm 3 pikë.”

Antonio Conte, trajneri i Juventusit, është shprehur kështu në prag të ndeshjes Inter-Juventus, që do të luhet të shtunën në orën 20.45. Tekniku bardhezi kërkon të ulë tensionin tek lojtarët e tij para supersfidës së Serisë A.

“Inter është një ekip i konsoliduar dhe janë favoritë jo vetëm për ndeshjen ndaj nesh, por edhe për fitimin e titullit kampion. Kam pasur vetëm pak ditë për të përgatitur ndeshjen, por jemi gati”, shton Conte.

Inter, Ranieri: Arbitrat do të tregohen të kujdesshëm

Edhe trajneri i Interit, Claudio Ranier, është shprehur se ndeshja ndaj Juventusit nuk do të jetë ndeshja më e rëndësishme e sezonit zikaltër.

“Ndeshja e së shtunës vlen tre pikë, si gjithë të tjerat. Nuk është shansi i fundit i Interit, por një ndeshje e rëndësishme për ne”, tha Ranieri në konferencën e shtypit.

Tekniku zikaltër i është rikthyer ankesave për 5 penalltitë që janë dhënë kundër Interit në 8 ndeshjet e Serisë A: “Nëse do të vazhdohet kështu do të përfundojmë sezonin me 25 11-metërsha kundër. Por, mendoj se arbitrat do të tregohen më të kujdesshëm.”

Top Channel