I jepet lamtumira e fundit pilotit Simoncelli

27/10/2011 17:20

Shumë duartrokitje dhe lot në funeralin e pilotit Marco Simoncelli në kishën e vendlindjes së tij, në Koriano.

Familjarët dhe miqtë e Simoncelli-t i dhanë lamtumirën e e fundit 24-vjeçarit, i cili humbi jetën në pistën e Sepangut në një aksident tragjik.

Në kishë ndodheshin edhe pilotë të njohur të motoçiklizmit si Valentino Rossi, Loris Capirossi, Randy de Puniet, Jorge Lorenzo dhe Sete Gibernau. Gjithashtu ishte i pranishëm Fausto Gresini (shefi i ekipit ku garonte Simoncelli) dhe përfaqësues të tjerë të Hondës.

Kufoma e “Supersic”, siç njihej në Itali, ishte e rrethuar nga djem me uniforma motoçiklistësh.

Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Michael Schumacher, u shpreh i trishtuar për vdekjen e Dan Wheldon (më 16 tetor në një garë të Indy) dhe Marco Simoncelli.

“Masat e sigurisë janë rritur shumë me kalimin e kohës, por rreziku i aksidenteve të rënda ekziston ende. Ishte fat i keq dhe kundër fatit të keq nuk ke çfarë të bësh. Jam i prekur nga ajo që ndodhi, por fatkeqësisht duhet të them se kjo është jeta”, tha Schumi.

Nga ana e tij, ferraristi Fernando Alonso tha: “Dashuria për garat të bën që të mos shikosh rrezikun. E pashë aksidentin direkt në televizor dhe u trishtova shumë. Ne pilotët kemi ndjesinë se nuk jemi të rrezikuar dhe se jemi të pathyeshëm. Kur futemi në makinë mendojmë se nuk mund të na ndodhë asgjë, por kur ecën me 340 km/h je gjithmonë i rrezikuar.”

FOTO GALERI
3/11
Valentino Rossi dhe Mattia Pasini

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA