Fiton Milan, barazon Inter

27/10/2011 01:00

Milani vazhdon marshimin e fitoreve në kampionatin italian dhe këtë herë ka arritur të mundë 4-1 Parmën, në San Siro.

Nëse një javë më parë heroi ndeshjes ishte Boateng me 3 gola, këtë herë është Nocerino që shënon 3 nga 4 golat e mbrëmjes. Në minutën e 30-të e 32-të, mesfushori kuqezi shënon dy golat e parë të takimit që mbyll pjesën e parë me këtë rezultat.

Në të dytën Ibrahimovic lë shenjë pak minuta përpara se të dalë duke shënuar golin e tretë, ndërkohë që për Parmën është Xhovinko ai që i jep mundësinë të shënojë një gol nderi, për t’i lënë sërish radhën Nocerinos në kohën shtesë, që shënon edhe golin e katërt për kuqezinjtë, që ngjiten në vendin e pestë, vetëm dy pikë larg kreut.

Ndërkohë nuk po gjen shpëtim Interi i cili ka barazuar 1-1 me Atalantën. Skuadra e Ranierit kalon e para në avantazh në minutën e 32-të me Wesly Sneijder, por brenda pjesës së parë barazojnë vendasit me Denis.

Në të dytën lojtarët e Interit kanë shpërdoruar shumë raste, ndërkohë që është Kastelaci që i shpëton për mrekulli nga humbja, pasi pret një 11-metërsh në minutat e fundit të takimit. Edhe pas këtij barazimi Interi mbetet në vend të 16-të.

Ndërkohë në takimet e tjera Napoli fitoi 2-0 me Udineze, Lacio barazoi 1-1 me Katanian dhe Xhenoa mundi 2-1 Romën.

Top Channel