Anderlehti do të mbajë Hasin

27/10/2011 00:00

Kjo është java vendimtare për të ardhmen e Kombëtares shqiptare. Në orët
në vazhdim pritet të zyrtarizohet drejtuesi i ri i stolit të
përfaqësueses kuqezi. Besnik Hasi mbetet në “pole” për t’u bërë
pasardhësi i Josip Kuzhesë, megjithatë ish-kapiteni i Kombëtares mbetet
në “stand by”

Armand Duka ka thirrur një konferencë për shtyp, por edhe pse pritej zyrtarizimi i Hasit, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit i ka dribluar të gjithë. Në daljen e mesditës së djeshme përpara mediave, kreu i FSHF-së deklaroi se trajneri i ardhshëm mund të jetë Hasi, por edhe kandidatët e tjerë, me të cilët ka kontaktuar. “Kemi disa projekte për të ardhmen. Nuk përjashtohet mundësia që trajneri i ri i Kombëtares të jetë Hasi, apo edhe dikush tjetër. Po flasim për emra të cilët ju (mediat) i keni komentuar dhe ne i kemi kontaktuar”, tha Duka.

Në këtë mënyrë, drejtuesi më i lartë i futbollit shqiptar ka fituar sërish kohë. Gjithçka lidhet me prishjen e planeve rreth Hasit, që ishte favorit përballë emrave si Matjazh Kek, Sreçko Katanec, Ervin Kuman, Manolo Himenez apo Rudi Vata. Një nga arsyet për shtyrjen e zyrtarizimit të 39-vjeçarit lidhet me faktin se Anderlehti dëshiron që ai të qëndrojë në rolin e zv.trajnerit. Ish-kuqeziu ka kontratë me klubin dhe për emërimin në krye të Shqipërisë më parë duhet të marrë “bekimin” e gjigantëve belg. Por, së fundmi, drejtuesit e klubit mbretëror i kanë bërë të ditur se dëshirojnë që Hasi të vazhdojë punën, madje i kanë ofruar një kontratë të re në stafin teknik, ku pritet të afrohet edhe ish-lojtari nga Argjentina, Nikolas Frutos. Në situatën e krijuar, Duka shtoi: “Brenda kësaj jave do të përfundojë emërimi i trajnerit të ri, që do të nisë punën për dy ndeshjet e ardhshme miqësore me Azerbajxhanin dhe Maqedoninë”. Në fakt, kreu i federatës vazhdon të jetë brenda afatit të përcaktuar: vetëm pak kohë më parë, ai kishte deklaruar se gjithçka do të zgjidhej në fundjavën që vjen. Ndërkohë, burime në ambientet e FSHF-së këmbëngulin se “shtyrja” e emërimit të Hasit nuk lidhet vetëm me pengesën e Anderlehtit, por edhe me detajet e fundit rreth marrëveshjes, ku ish-kapiteni i Shqipërisë kërkon të nisë punën në një projekt 4-vjeçar. Duka shtoi: “A lidhet vonesa me kushtet e kontratës? Kontrata do të përcaktohet së bashku me trajnerin e ri. Drejtuesi i stolit është palë e përfshirë në negociata dhe termat e kontratës nuk mund të përcaktohen vetëm nga FSHF-ja”.

Për sa u takon zërave se UEFA ka nisur hetimin për ndeshjen e Kategorisë Superiore, Kastrioti-Vllaznia, e dyshuar për trukim, drejtuesi më i lartë i federatës mohoi të ketë një informacion rreth kësaj çështjeje, duke nënvijëzuar se “Federata Europiane e Futbollit punon në mënyrë të pavarur”.

Top Channel