Babai i Simoncelli-t: Zoti thërret më të mirët

26/10/2011 09:20

Trupi i pajetë i Marco Simoncelli-t, pilotit të Hondës i cili humbi jetën në një aksident tragjik në pistën e Sepangut (Malajzi), është kthyer ditën e martë në Itali.

Shumë tifozë ishin mbledhur në aeroportin Fiumiccino të Romës për të pritur kufomën e 24-vjeçarit me thirrjet “Gladiatori”.

Më pas, trupi i tij është dërguar në vendin e tij të origjinës, në Korvino të Riminit.

I ati i pilotit të ndjerë, Paolo Simoncelli, deklaroi me mbërritjen në Itali: “Njerëzit po na qëndrojnë afër në këtë moment të vështirë dhe kjo është e mrekullueshme. Ata e dinë se çfarë djali ishte Marco. Thuhet se Zoti thërret më të mirët.”

Më pas, Paolo flet sërish për aksidentin: “Nuk ishte e mundur të shpëtohej sepse Marco kishte vdekur. Dua të falenderoj autoritetet malajziane, ambasadorin italian dhe djemtë e pistës së Sepangut sepse bënë një punë të jashtëzakonshme. Dua të falenderoj edhe qindra personat që lanë punët e tyre për të pritur dhe përshëndetur djalin tim.”

“Ai ishte një njeri i pastër dhe luftëtar. Mbase për këtë nuk është më midis nesh. Nëse do ta kishte lëshuar motorin, tani do ishte shëndoshë e mirë. E kisha mësuar të luftonte dhe të mos dorëzohej kurrë. Ndoshta kam bërë gabim”, shtoi i ati i Marco Simoncelli.

Top Channel