Turqi, rritet në 432 numri i viktimave

25/10/2011 17:20

Qeveria turke ka bërë thirrje për më shumë ndihma për mijëra personat e
prekur nga tërmeti fatal i së dielës në lindje të vendit.

Autoritetet deklaruan se 12 mijë tenda të tjera do të ngrihen në qytetet Erkis dhe Van, si dhe në fshatrat përreth tyre.

Qeveria e Ankarasë është akuzuar se ka dështuar në dhënien e ndihmës për personat më në nevojë, që e kaluan natën në një të ftohtë të akullt, pa ngrohje dhe pa cadra.

Të paktën 432 persona janë konfirmuar të vdekur dhe mbi 1400 të tjerë janë plagosur pas tërmetit me magnitudë 7.2 të shkallës rihter.

Mbi 2 mijë shtëpi u shembën për shkak të lëkundjes së fuqishme sizmike, kanë bërë të ditur të martën drejtuesit e Agjencisë së Emergjencave.

Anëtarët e skuadrave të shpëtimit, të shoqëruar nga qenë të stërvitur, vazhduan gjatë natës kërkimet për të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura.

Vinca dhe pajisje të tjera të rënda kanë lëvizur nga vendi blloqe të mëdha tullash, të ndihmuar edhe nga banorët, të cilët morën lopatat në duar.

Por shpresat për të gjetur të mbijetuar po zbehen, pasi në shtatë orët e fundit nuk është nxjerrë asnjë person i gjallë nga rrënojat.

Në një ndërtesë, raporton korrespondenti i BBC, druhet se janë zënë deri në 50 persona dhe autoritetet turke presin që bilanci i viktimave të rritet.

Autoritetet po ngrenë gjithashtu më shumë spitale-tenda dhe kuzhina për të ndihmuar të pastrehët ose ata që kanë frikë të kthehen nëpër shtëpi pas lëkundjeve të vazhdueshme.

Top Channel