Jobs krijoi “iPad” prej mërzisë

25/10/2011 17:35

Themeluesi i “Apple”, Steve Jobs dhe ai i “Microsoft”, Bill Gates, kanë akuzuar shpesh njëri-tjetrin për vjedhje idesh.

Megjithatë, duket se i ndjeri Jobs i detyrohet rivalit të tij më të madh një prej shpikjeve revolucionare që realizoi, “iPad”-in, ideja për të cilën iu krijua gjatë një darke të mërzitshme pune me një drejtues të “Microsoft”.

Në autobiografinë e tij të licensuar, Jobs rrëfen: “Ishte hera e dhjetë që në atë darkë më fliste për diçka novatore që kishte në mendje, aq sa më vinte për të vjellë vetëm duke e dëgjuar. Kështu, vendosa t’i tregoja me të vërtetë se çfarë do të thonte të krijoja diçka novatore dhe bëra “iPad”-in”.

Pajisja me ekran të prekshëm u hodh në treg në prill 2010 dhe që prej atëherë, ka shitur 40 milion copë, duke u revolucionarizuar tregun.

Mënyra se si u frymëzua për të krijuar “iPad”-in, është një prej tërheqjeve kryesore të autobiografisë, me titullin e thjeshtë “Steve Jobs”.

Autori i librit, Walter Isaacson, intervistoi 40 herë gjeniun, në fazat e fundit të luftës së tij të gjatë me kancerin në pankreas, betejë të cilën e humbi në datën 5 tetor të këtij viti.

Top Channel