Devijon debati publik për “Liberalizimin e Vizave” me Bashkimin Europian, në një kolegj privat në Prishtinë.

Në konferencën ku të ftuar specialë ishin ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi dhe ambasadori francez Jean Francois Fitou, nuk munguan aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje, të cilët duket se kishin hyrë pa dijeninë e stafit të kolegjit.

Njëri nga aktivsitët shfrytëzoi kohën e pyetjeve për të kritikuar ministrin Bajram Rexhepi lidhur me situatën në veri.

Ndërsa aktivistë të tjerë, duke vërshëllyer ngritën një pankartë dhe hodhën të tjera në dysheme. Kjo bëri që situata të përshkallëzohej brenda kolegjit.

Në mënyrë të revoltuar reaguan punëtorët e këtij institucioni arsimor, të cilët nxorën nga salla aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje.

I shokuar ndaj gjithë kësaj situate reagoi ambasadori francez Jean Francois Fitou, i cili i quajti sjelljet e aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosje si ato të kohës së fashizmit dhe Hitlerit.

“Gjëja e parë që duhet të bëni është të mos silleni si bandat fashiste. Ne jetojmë në një vend demokratik dhe mendimet e ndryshme për dialogun per Evropën, etj, pranohen. Por, të vish në një takim, ta fyesh ministrin dhe të flasësh banalitete, më falni por kjo është Evropa e vitit 1943. Ky është fashizëm. Dhe këto veprime vendi im dhe të tjerët do t’i kundërshtojnë”, u shpreh Fitou.

“Sa për patriotizëm, Vetëvendosjen e mbaj në xhep të vogël”, tha pas tij ministri Bajram Rexhepi.

Teksa panelistët Rexhepi dhe Fitou preferonin të vazhdonin debatin për liberalizimin e vizave, aktivistët e nxjerrë jashtë ishin futur në njërën nga sallat e kolegjit.

Në një komunikatë të Vetëvendosjes thuhet se sigurimi i ministrit Rexhepi dhe i kolegjit ushtruan dhunë ndaj nëntë aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosje, madje në dhunë e sipër u thye edhe xhami i kolegjit.

Policia erdhi pas pak minutash në vendin e ngjarjes. Në gjithë këtë situatë, kolegji mendonte edhe për imazhin e vet institucional. Ata kërkuan asistencën e policisë për të larguar mediat nga ngjarja që vetë i kishin ftuar. Policia më vonë konfirmoi se janë arrestuar nëntë aktivistët e Vetëvendosjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA