Atë që KFOR-i nuk e ka bërë për ditë me radhë, heqjen e barrikadave të serbëve në Mitrovicë, tentoi ta bënte një shqiptar i cili me mjetin e tij, një buldozer ka tentuar heqjen e barrikadës kryesore, atë mbi urën e lumit Ibër, urë që lidh veriun dhe jugun e Mitrovicës.

Sic njofton Kosovapress, rreth orës 14:00 një shtetas është afruar me buldozer dhe kamionë duke tentuar heqjen e barrikadës mbi urë. Por përpjekjet e tij janë ndalur nga Policia e Kosovës, e cila e ka prangosur. Ngjarja në fjalë grumbulloi dhjetra persona rreth urës.  

Më herët, në të njëjtin vend u regjistrua një tjetër incident. 11 persona të veshur me uniforma të ushtrisë ruse, zbarkuan në anën veriore të urës së lumit Ibër dhe kënduan këngë “për Kosovën”. Por në këtë rast, as KFOR, as EULEX dhe Policia e Kosovës nuk ndërhynë.

Policia: Nuk ka shtim të barrikadave

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, deklaroi të hënën se gjendja në veri të Mitrovicës vazhdon të jetë e njëjtë.

Sipas Hotit deri më tani nuk ka ndonjë veprim nga forcat e KFOR-it për largimin e barrikadave. Ndërkaq, sa i përket shtimit të barrikadave të reja, ato vazhdojnë të jenë të njëjtat.

Hoti sqaroi se automjetet që janë prezente në këtë barrikadë, serbët e veriut i kanë lidh njëra me tjetrën, për ta bërë më vështirë të largohet nga ana e forcave paqëruajtëse të NATO-s.

EULEX: Barrikadat të hiqen vullnetarisht

Zgjidhja më e mirë do të ishte që personat që kanë ngritur barrikadat t’i heqin ato, në mënyrë që njerëzit të lëvizin lirshëm dhe të kryejnë aktivitetet e tyre ditore.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i misionit EULEX, Kai Mueller Berner në një intervistë për gazetën serbe “Blic”, ku megjithatë nuk i ka dhënë një përgjigje të prerë pyetjes, “cila është zgjidhja, forca apo marrëveshja”.

“EULEX nuk heq dorë nga implementimi i marrëveshjeve në Bruksel, që nënkuptojnë instalimin e një sistemi unik doganor”, ka deklaruar Berner.

“EULEX bashkë me KFOR-in po punojnë për vendosjen e lirisë së qarkullimit në veriun e Kosovës. Prania e barrikadave nuk ka kuptim, ato u kufizojnë të gjithëve lirinë e lëvizjes dhe është popullsia ajo që vuan pasojat”, ka vijuar ai.

Më tej zëdhënësi ka ftuar të gjithë qytetarët e veriut që të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë sundimin e ligjit, pasi një gjë e tillë kërkohet nga të gjitha vendet anëtare të BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA